Në fund të javës së kaluar kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka prezantuar një platformë për dialogun me Serbinë, në bazë të së cilës presidenti Hashim Thaçi do të jetë kryenegociator. Por, partitë opozitare kanë dalë kundër kësaj platforme, duke thënë se nuk mund të kërkohet konsensus pa i dëgjuar kërkesat e opozitës, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Subjektet opozitare e vlerësojnë të papranueshme platformën e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli për dialogun me Serbinë.
Opozitarët vazhdojnë ta vlerësojnë presidentin Hashim Thaçi si të papranueshëm për kryenegociator, ndërsa theksojnë nevojën se për arritjen e konsensusit pushteti duhet t’i dëgjojë edhe kërkesat e opozitës dhe të mos dalë me platforma të tilla të njëanshme.
Ndërsa analistët politikë thonë se platforma për dialogun nuk duhet të flasë për emrat se cilët e udhëheqin këtë proces, porse në të përcaktohen konturat e bisedimeve ose pozicioni i Kosovës karshi dialogut, shkruan më tutje “Zëri”.
Sipas tyre, as pushteti dhe as partitë opozitare nuk janë të interesuara që të arrihet konsensusi për dialogun me Serbinë.
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ky dokument do të shërbejë për arritjen e konsensusit.
“Unë besoj shumë që ai dokument do të jetë vetëm një nismë e mbarë e ndërtimit të një konsensusi të përgjithshëm, të cilin e kam ofruar, në mënyrë që të gjithë bashkërisht pozitë dhe opozitë të jemi në procesin e dialogut dhe në të njëjtën kohë në finalizimin e procesit për anëtarësim në OKB për shtetin tonë të pavarur dhe sovran. Kjo tek e fundit është arsyeja pse shkojmë në dialog”, është shprehur Veseli.