Subjekti më i madh opozitar në Lipjan, PDK, nëpërmjet një konference për media ka akuzuar ekzekutivin e Komunës se i është mohuar e drejta për qasje në dokumente zyrtare.
Sipas PDK-së vazhdimisht po kërkojnë kopje fizike për dosje të ndryshme të tenderëve, mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh.
Agon Bahtiri, sekretar i përgjithshëm në PDK, dega në Lipjan, ka thënë se ata që janë thirrur se do të dalin të pastër para “Ligjit dhe Zotit”, opozita po ua dëshmon të kundërtën.
“Të nderuar qytetarë të Komunës së Lipjanit, Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, edhe kësaj here dëshiron të ndajë me ju shqetësimin e radhës, derisa ekzekutivi i Komunës po bën shkelje të Ligjit për qasje në dokumente zyrtare. Pas shumë kërkesave për qasje në dokumente zyrtare, PDK-së po i mohohet e drejta për të marrë kopjet fizike”, ka thënë Bahtiri. Sipas tij, arsyetimet e Komunës janë shumë banale, prandaj kjo qeverisje ka mungesë të transparencës dhe llogaridhënies para qytetarëve dhe subjekteve opozitare.
“Herën e fundit kërkesa e PDK-së ka të bëjë lidhur me tenderin për ndërtimin e objektit të ri të Komunës, pasi që ne dyshojmë se në këtë tender ka mungesë të transparencës dhe pikërisht për këtë dyshojmë se opozitës po i mohohet e drejta për t’i kontrolluar dokumentet. Sa herë që kërkojmë qasje në dokumente publike, Komuna drejtohet se një pjesë e tyre janë në platformën ‘online’, mirëpo ne si opozitë gjithmonë po kërkojmë dosjen e secilit tender, pasi që kemi dyshimet tona për korrupsion e keqpërdorim të parasë publike”, ka thënë më Bahtiri.
Ai ka kërkuar nga qytetarët të vazhdojnë të bashkëpunojnë për t’i parandaluar, sipas tij, dukuritë e keqpërdorimit të parasë publike në Komunën e Lipjanit dhe për t’i publikuar ngecjet dhe dështimet.
KOHA ka provuar të marrë deklaratë nga zëdhënësi i Komunës, Diamant Bytyqi për këtë çështje, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm.