Opozita në Lipjan kritikon qeverisjen lokale për keqmenaxhim të parasë publike

Prishtinë | 04 Sht 2020 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Subjekti opozitar PDK, dega në Lipjan, nëpërmjet një komunikate për media ka kritikuar qeverisjen lokale të LDK-së për keqmenaxhim të parasë publike gjatë realizimit të dy fushave sportive.

“Kemi të bëjmë me menaxhimin e keq në projektin e fushës sportive në fshatin Kraishtë dhe në fshatin Janjevë. Në vitin 2017 është ndërtuar një fushë e hapur sportive në fshatin Kraishtë me një kosto prej rreth 17 mijë eurove, kurse pas një kohe është rrënuar ajo për ta ndërtuar një sallë tjetër sportive në të njëjtin vend. Kurse, projekti i ri i ka kushtuar komunës 212 mijë e 884 euro. Është shumë shqetësuese se si po menaxhohet parja publike e taksapaguesve të komunës së Lipjanit”, thuhet në komunikatën e opozitës.

PDK-ja ka kërkuar llogaridhënie nga ekzekutivi me arsyetim se ka keqplanifikuar dhe keqpërdorur paranë publike.

“Pothuajse i njëjti rast ka ndodhur edhe me fushën sportive në Janjevë, andaj kjo qeverisje pa ndonjë analizë të planifikuar po e dëshmon se janë të padijshëm për ta menaxhuar paranë publike. Në këtë mënyrë po dëmtohet xhepi dhe paraja e qytetarëve kurse po mbushen xhepat e individëve të ekzekutivit përmes dhënies së tenderëve”, thuhet më tej në komunikatë

Të ngjashme