Partitë opozitare në Lipjan, PDK dhe AAK, vazhdojnë ta akuzojnë qeverisjen lokale për mungesë të transparencës dhe llogaridhënies. Ato kanë paralajmëruar inicim të lëndëve në gjykatë për shkak të pamundësisë së qasjes në dokumentet publike, e drejtë kjo, sipas tyre, e garantuar me ligjet në fuqi. Ato kanë përmendur sidomos dosjet e lejeve për ndërtimin e objekteve banesore.
Hyzer Rizani, kryetar i PDK-së, dega në Lipjan, ka thënë se njëri prej ndërtuesve është edhe kuvendari Naim Stullca, i cili nuk i përfill kriteret për ndërtim të banesave kolektive ndërsa, sipas tij, Komuna nuk lejon qasje për dokumente fizike.
“Sipas Ligjit për qasje në dokumente zyrtare iu kemi drejtuar Komunës, sepse kemi dyshuar se janë disa pronarë të objekteve që kanë lidhje me ekzekutivin e Komunës. Aq më keq, kemi kuvendar nga radhët e partisë në pushtet, siç është Naim Stullca, i cili ka tejkaluar të gjitha masat dhe rregulloret në bazë të lejeve ndërtimore. Në disa objekte shihet haptas se nuk janë përfillur kriteret e etazhitetit apo koeficientit të ndërtimit, andaj për këtë arsyeje ne kemi kërkuar kopjet fizike të të gjitha lejeve, mirëpo një gjë e tillë na është mohuar”, ka thënë Rizani. Ai ka njoftuar se në të ardhmen e afërt do t’u drejtohen organeve të drejtësisë pasi që, sipas tij, Komuna është e obliguar të ofrojë qasje për secilin qytetar apo subjekt politik.
Po ashtu, edhe Ramiz Qeriqi, kuvendar nga radhët e AAK-së, ka thënë se i është mohuar e drejta për qasje fizike rreth ndërtimeve në Lipjan. Ai ka paralajmëruar inicimin e një padie në gjykatë me arsyetim se Komuna po i shkel ligjet në fuqi. “Bazuar në Ligjin për qasjen në dokumente publike, kam kërkuar nga njësia përgjegjëse kopjet fizike për të gjitha ndërtimet në Lipjan, mirëpo asnjëherë nuk kam marrë përgjigje. Ne dyshojmë se ka shkelje në objekte banesore dhe ky është shkaku që Komuna nuk lejon qasje në dokumente publike. Po ashtu ka edhe ndërtesa të kuvendarëve për të cilat dyshojmë se nuk janë përfillur kriteret e ndërtimeve, prandaj ne do të kërkojmë edhe një herë qasje në këto dokumente dhe menjëherë do t’i drejtohemi prokurorisë. Nëse edhe prokurorët nuk e marrin lëndën e opozitës, atëherë ne do të iniciojmë padi edhe ndaj prokurorëve të caktuar për mosreagim në raste të tilla”, ka thënë Qeriqi, raporton KOHA.
Këshilltari komunal nga LDK-ja, Naim Stullca, i cili njëherësh është edhe ndërtues i disa objekteve banesore, ka thënë se i respekton të gjitha ligjet dhe kriteret për ndërtime.
“Kriteret janë të barabarta për të gjithë sipas rregullave të Komunës dhe ligjeve në fuqi. Në Lipjan janë dy lloje të koeficientit për ndërtime 3.5 dhe 2.8. Personalisht unë i kam të gjitha lejet dhe u përmbahen të gjitha kritereve dhe ligjeve në fuqi rreth kësaj çështjeje. Kemi pasur kontrolle edhe nga Inspektorati dhe asnjëherë nuk kanë mundur të gjejnë ndonjë parregullsi apo shkelje. Prandaj e sugjeroj opozitën që t’i sjellin të gjithë inspektorët për ta vërtetuar se në objektet e mia gjithçka është në rregull duke iu përmbajtur lejeve ndërtimore dhe sipas ligjeve në fuqi”, ka sqaruar Stullca.
Diamant Bytyqi, zëdhënës i Komunës së Lipjanit, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka thënë se çdo kërkese për qasje në dokumente zyrtare i është lejuar qasja, duke llogaritur edhe kërkesat që kanë ardhur e që dokumentet gjenden në uebfaqe zyrtare të Komunës, vetëm janë udhëzuar se si të gjenden ato.
“Çdo kërkesë për dokumente zyrtare ka marrë përgjigje brenda afatit kohor të përcaktuar në Ligjin për qasje në dokumente zyrtare. Kërkesat në fjalë janë kërkesa me karakter politik dhe nuk i komentojmë fare. Çdo kërkesë për qasje në dokumente do të marrë përgjigje brenda afatit kohor, edhe pse të gjitha dokumentet janë publikuar në uebfaqe të Komunës”, ka thënë Bytyqi.