Policia e Shqipërisë thotë se protesta që do të zhvillohet nesër nga opozita është e paligjshme.
Në një deklaratë, policia thotë se kjo është bërë e njohur nga media, ndërsa nuk ka marrë njoftim për protestën dhe të mbështetur në ligjin “Për tubimet”, prandaj nuk mund të lejojë protesta të askujt, që në emër të lirisë së tubimit, cenojnë lirinë e sigurinë e të tjerëve.
“Zhvillimi i protestës së paralajmëruar mediatikisht, për vetë natyrën e saj përbën një cënim të rëndë të ligjit, të rendit publik dhe lirisë e sigurisë së çdo qytetari, që ka të drejtën të përdorë hapësirat e pushtuara nga një protestë e tillë.
Organizatorët e kësaj proteste të paligjshme do të përballen me ligjin për çdo pasojë të paparashikuar, që mund të sjellë një protestë e organizuar për të nxitur rrëmujë dhe konflikt në pika nevralgjike për qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve”, thuhet në deklaratën e policisë.
Policia e Shtetit deklaron se njeh dhe respekton si të paprekshme të drejtën për të protestuar. Por ajo ka përgjegjësi ligjore, si dhe gatishmërinë për të mos lejuar cenimin e interesit të qytetarëve.
Në deklaratë thuhet se “Policia e Shtetit u bën apel të gjithë qytetarëve të mos bien pre e një politike të angazhuar për të goditur ligjshmërinë dhe institucionet e vendit, duke dëmtuar interesat e njerëzve e të vetë vendit”.
“Zhvillimi i një proteste të paligjshme mund të përdoret nga elementë me precedentë kriminalë dhe të nxitur a të paguar për të krijuar paqëndrueshmëri shoqërore”, thuhet më tej në deklaratë.
Duke e konsideruar si të rrezikshme për rendin dhe sigurinë policia i bën thirrje çdo qytetari të mos bëhet pjesë e kësaj proteste.
Gjithashtu Policia e Shtetit i kërkon paraprakisht ndjesë çdo qytetari, për çdo rast kur nuk do te mund t’i shërbejë si duhet lirisë se qarkullimit.