Opozita përplaset me Rozeta Hajdarin, shkak inspektorët e tregut

Prishtinë | 19 Mar 2024 | 12:22 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, të martën, mes tjerash u shqyrtua Projektligji për Inspektoratin qendror të mbikëqyrjes së tregut, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, deklaroi se me Projektligjin e ri, këta inspektorë do të kenë kompetenca të nivelit qendror, gjë që, sipas saj, do t’i rrisë raportimet e tyre.

Mirëpo, opozita pati pakënaqësi rreth këtij projektligji, gjegjësisht rreth sistemit të inspektorëve komunalë, sistematizimit dhe monitorimit të tyre.

Kritikave dhe pyetjeve të opozitës, Hajdari iu kundërpërgjigj duke thënë se janë konsultuar të gjitha grupet e interesit dhe se ky draft-projektligj do ta rrisë efektivitetin e inspektorimeve të tregut.

Ajo shtoi se “ka një praktikë jo të mirë sa i përket raportimi të inspektorëve komunalë”, mirëpo se është arritur shifër rekorde e inspektimeve, specifikisht tre mijë sosh, përkundër kapaciteteve të ulëta.

“Ne kemi punuar shumë në projektligjin që po e prezantojmë. Kemi konsultuar të gjitha grupet e interesit dhe kemi nxjerrë këtë draft që do ta bëjë inspektoratin e tregut më efektiv. Konsideroj që i kemi vënë vëmendjen e duhur duke i dhënë një infrastrukturë ligjore që i ka munguar”, ka thënë ajo.

Drejtori i Zyrës Ligjore, Rexhep Bllaca, tha se megjithëse inspektorët do t’i barten nivelit qendror, problemi mbetet me Ministrinë e Financave, duke shtuar se ajo “s’e lejon bartjen e inspektorëve nga niveli lokal në qendror”.

“Por, kjo mbetet të trajtohet. Gjithçka do të jetë në nivelin qendror”, ka thënë ai.

Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se në këtë projektligj nuk ka qartësime për inspektoret, pasi sipas tij, përderisa nuk ka marrëveshje me komunat, ky projektligj nuk do të funksionojë.

“Mendoj që është mirë që kjo çështje ka ardhur mbi tavolinë, por duhet t’i qartësojmë gjërat. Me këtë ligj nuk e keni saktësuar saktë se si bëhet bartja fizike, bartja e kompetencave dhe çfarë marrëveshje keni me komunat, me Ministrinë e Financave edhe Ministrinë e Tregtisë. Derisa nuk qartësohen këto, ka gabime”, ka thënë ai.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, shtroi të njëjtën pyetje.

“Çfarë roli dhe funksioni mund të kryejnë ata (inspektorë) nëse ju merrni kompetencat”, ka shtuar ai.

Detaje për temën e inspektorëve ka kërkuar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, duke kërkuar që me ligjin e ri, inspektorati të avancojë “në krahasim me ligjin paraprak”.

“Ju dhatë një lloj përshkrimi se si do të zbatohet kjo rregullore. Mendoj se sa i takon procedurave që nuk përmbushin standardet dhe cilësinë e keni bë një punë të mirë. Me ligjin e ri sa avancon kjo”, u shpreh Hyseni.

Ndërsa, ministrja Hajdari ka thënë se në hyrje të ligjit të ri do të rregullohet çështja e sistematizimit të inspektorëve.

“Gjatë këtyre viteve ne kemi praktikën jo të mirë sa i përket raportimi të inspektorëve komunalë. Ata inspektorë asnjëherë nuk kanë raportuar. Kanë raportuar te kryetarët e komunave, kanë marrë vendime pa dakordim e koordinim me Ministrinë. Disa prej tyre nuk i kanë pasur as mjetet e duhura te punës. Edhe 27 inspektorë shtesë që janë shtuar me Ligjin e Buxhetit për vitin 2024, por jo të gjithë janë punësuar. Ne synojmë rritjen e tyre. Do të hapim shpallje në këtë pranverë. Deri më tash me gjithë këto kapacitete të ulëta ne kemi arritur shifër rekord sa i përket Inspektimeve mbi 3 mijë”, ka thënë Hajdari.

E ky sqarim i ministres bërë që të ketë replika ndërmjet deputetit të AAK-së Pal Lekaj dhe deputetit të VV-së Driton Hyseni.

Deputeti Lekaj tha se ministrja është konfuze sa i përket kësaj çështje. Ai kritikoi edhe qeverisjen aktuale për mosimplementimin e ligjeve.

“Ministrja është e pak konfuze. Ligjet janë për të rregulluar dhe jo për të bërë mish-mash. Ju po e bënë një centralizim klasik. Keni me u mbajt mend për krejt këto që nuk keni bërë”, ka thënë ai.

Ndaj këtyre deklaratave reagoi deputeti Hyseni, i cili tha se Lekaj është duke kaluar më çështje politike.

Të ngjashme