Deputetët e opozitës kanë kërkuar nga Qeveria që të angazhohet më shumë në menaxhimin e situatës me pandemi, raporton Ekonomia Online.
Abelard Tahiri nga PDK tha se duhet angazhim më i madh në ruajtjen e shëndetit publik.
“Sot më shumë se kurrë duhet angazhim i ministrit në menaxhimin me pandeminë, i bëj thirrje qeverisë që të punojë më shumë në këtë drejtim. Bëj thirrje për të gjithë që të vaksinohen dhe që të bëhet një përmirësim në zonat rurale ku bëhet vaksinimi dhe të mos çaloj procesi i vaksinimit. Pa një angazhim nga qeveria do mbesim vendi i vetëm me të vaksinuar më së paku. Andaj qeveria të del me punë më shumë dhe të ruajnë shëndetin e qytetarëve”, tha Tahiri.
Tutje ai bëri thirrje edhe tek ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, që të del me plan konkret nëse ndodh ndonjë mbyllje dhe të punohet në mësimin online.
Ndërsa, Armend Zemaj nga LDK, tha se e gjitha kjo ka të bëjë me qasjen dhe mënyrat se si Qeveria po sillet në këtë pandemi, duke shtuar se situata është alarmante.
“Situata është alarmante andaj lus qeverinë ti kthehet realitetit, mos ja ndalni shtesat mjekëve, mos punoni sikur pandemia ka përfunduar, riktheni mbështetjen për stafin profesional shëndetësor, riktheni inspektorët. I keni mbyllur të shtunave dhe të dielave për vaksinim. Jo helmimin politik dhe gjuhën r ulët që keni përdorur kur kishte rritje të rasteve në qeverinë e kaluar”, tha Zemaj.
Gjithashtu edhe Besian Mustafa nga LDK tha se nga krejt ky keq menaxhim do e pësojnë qytetarët dhe ekonominë e vendit.
“Fatkeqësisht vaksinimi po dështon, dhe nga ky keq menaxhim vuajnë qytetarët dhe do kemi tkurrje të ekonomisë, duhet të jepni përgjigje për qytetarët, ju lus që të jepni përgjigjie në dështimin ekonomik”, tha Mustafa.
Po ashtu, edhe Besnik Tahiri nga AAK, tha se nuk janë duke punuar aspak në çështjen e pandemisë dhe në ruajtjen e punëtorëve shëndetësor e ligjin e pagave.
“Kur po ju duhet ndihma e policëve e zjarrfikësve, e mjekëve po thuani këta janë heronjtë tanë. Jeni duke dështuar në ligjin e pagave, andaj kërkoj urgjentisht që të punoni në këtë drejtim”, tha Tahiri.