Opozita turke kërkon anulimin e referendumit

Prishtinë | 18 Pri 2017 | 15:47 | Nga

 

Partia kryesore opozitare e Turqisë apeloi zyrtarisht për anulimin e referendumit që do të rrisë pushtetin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Nënkryetari i Partisë Popullore Republikane, Bulet Tezcan, tha se ka paraqitur kërkesën në Bordin e Lartë Zgjedhor.

Ai tha se rezultati i referendumit për ndryshime kushtetuese është “i paligjshëm” për shkak të parregullsive në votim.

Parregullsitë, mes tjerash, thuhet se kanë të bëjnë me vendimin e trupit zgjedhor, në moment të fundit, për t’i cilësuar si të vlefshme më shumë se një milion vota pa vulë zyrtare.

Ndryshimet e propozuara, që do t’i japin presidentit më shumë kompetenca dhe do t’i mundësojnë Erdoganit të mbetet në pushtet deri më 2029, kanë kaluar në referendumin e së dielës më 51.4 përqind të votave, kanë thënë zyrtarët zgjedhorë.

Kritikët e Erdoganit thonë se reformat do t’i japin pushtet të gjerë një njeriu me prirje gjithnjë e më autokratike.

Kryeministri turk, Binali Yildirim, tha sot se “vullneti i popullit është pasqyruar në kutitë e votimit” dhe se “debati ka marrë fund”.

Bashkimi Evropian, në anën tjetër, i bëri thirrje Turqisë që të hetojë në mënyrë transparente parregullsitë e raportuara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme