ORCA ka shprehur shqetësimin me manovrat, sipas tyre, të Këshillit Drejtues të UP-së, i cili nuk ka aprovuar prorektorët e propozuar nga rektori Naser Sahiti.
ORCA rikujton se rektori i ri është zgjedhur në një proces të monitoruar nga shoqëria civile dhe i cili është shënuar pa asnjë vërejtje.
Në mbledhjen e së enjtes (1 tetor 2020) kur ishte paraparë të aprovohet propozimi i rektorit për prorektorë, Këshilli Drejtues ka miratuar vetëm një prorektor, profesor Mimoza Ibrani, ndërkaq pa asnjë arsyetim ka shtyrë votimin për propozimet tjera të rektorit. Këtë veprim ORCA e sheh si tentativë për ndërhyrje në menaxhment të UP-së nga ana e Këshillit Drejtues dhe Ministrit të Arsimit përmes përfaqësuesve të tij në Këshillin Drejtues dhe kjo përbën shkeljen e ndarjes së pushteteve në UP mes Këshillit Drejtues, Rrektoratit dhe Senatit.
ORCA beson se në parim është e drejtë e rektorit të zgjedhë ekipin e tij siç edhe do të jetë përgjegjësi e tij performanca e tyre. ORCA pret nga Këshilli Drejtues që refuzimin e mundshëm të ndonjë propozimi ta justifikojë dhe ta paraqesë para publikut për ta njohur atë me mangësitë akademike apo etike të prorektorëve të refuzuar. Ndërkohë, ORCA thekson se të gjithë prorektorët e propozuar nga rektori Naser Sahiti i justifikojnë titujt akademik për sa i përket numrit të punimeve shkencore të nevojshme për titujt përkatës akademikë.