Organizata ORCA, e cila ka monitoruar procesin e zgjedhjes së rektorit të UP-së, e ka vlerësuar si të rregullit këtë proces.
Sipas komunikatës së tyre, Këshilli Drejtues ka qenë transparent, por edhe kandidatët gjatë prezantimit të tyre kanë qenë të dinjitetshëm.
Komunikata e plotë e tyre:
Këshilli Drejtues i UP-së sapo ka zgjedhur profesorin Naser Sahiti me 7 vota si rektor të Universitetit të Prishtinës për një mandat 4 vjeçar. ORCA si organizatë e deleguar nga Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU), me ftesë të Këshillit Drejtues, e ka monitoruar procesin e intervistimit dhe votimit të rektorit të ri.
Me këtë rast ORCA përgëzon Këshillin Drejtues për transparencës. Po ashtu ORCA thekson se prezantimet e të gjithë kandidatëve kanë qenë të dinjitetshme dhe kanë adresuar shqetësimet kryesore të publikut që lidhen me transparencën dhe integritetin.
ORCA përgëzon rektorin e ri Naser Sahiti duke i ofruar mbështetje dhe duke i rikujtuar se së bashku me organizatat tjera joqeveritare nga koalicioni KITU, do të jetë duke parë jetësimin e prezantimit të bërë me rastin e zgjedhjes si rektor, rregullativat ligjore dhe detyrimet tjera shoqërore që vijnë me këtë pozitë të rëndësishme në vendin tonë.