ORCA insiston që Këshilli Drejtues i UP-së t’i përjashtojë Dugollin dhe Kastratin

Prishtinë | 13 Shk 2023 | 12:55 | Nga Ekonomia Online

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), kur po bëhen gati dy vjet nga denoncimi fillestar i plagjiaturës së profesorëve Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati, ka dorëzuar përfundimisht ankesën në instancën në Këshillin Drejtues të UP-së, që njëherit është instanca e fundit brenda universitetit për ankimim.

Në këtë ankesë ORCA listoi 5 pikat kyçe që vërtetojnë përtej çdo dyshimi se procesi i trajtimit të këtij rasti ka dështuar në të gjitha hallkat institucionale që kanë përgjegjësi trajtimin e shkeljeve etike akademike.

Rron Gjinovci dhe Dibran Hoxha nga kjo organizatë, të cilët folën para medieve, thanë se Këshilli i Etikës dhe Senati akademik i Universitetit të Prishtinës kanë dështuar ta respektojnë rregullativën në fuqi duke:

  • Shqiptuar masa kundërthënëse;
  • Shqiptuar masa të pabazuara në rregulloren përkatëse;
  • Shkelur parimin e proporcionalitetit të masës ndëshkimore me seriozitetin e shkeljes së kryer, të përcaktuar në rregulloren përkatëse;
  • Ka shkelur parimin e garancisë së mospërsëritjes;
  • Nuk ka evidentuar shkeljen e dokumentit më të lartë rregullues të Universitetit të Prishtinës, Statutit të tij.

ORCA konstaton se janë pjekur të gjitha kushtet ligjore dhe disiplinore që plagjiatorëve (siç i ka kategorizuar Këshilli i Etikës dhe Senati në vendimet e cekura në këtë dokument), Prof. Dr Bujar Dugolli dhe Prof. Ass. Ardian Kastrati, t’u shqiptohet masa e largimit nga Universiteti i Prishtinës.

ORCA përmes kësaj ankese kërkon nga Këshilli Drejtues i UP-së të marrë masën disiplinore sipas Nenit 8, paragrafit 1.10. të Rregullores: “ndërprerje të marrëdhënies së punës” për autorët e plagjiaturës (të përcaktuar nga Këshilli i Etikës dhe Senati i UP-së) Prof. Dr. Bujar Dugolli dhe Prof. Ass. Ardian Kastrati.

“Nëse nuk ndëshkohen plagjiatorët me perjashtim edhe në instancën e fundit, atëherë përgjegjës për rehabilitimin e tyre dhe për kompromentimin e sistemit arsimor dhe integritetit akademik të universiteteve publike janë: Rektori i Universitetit të Prishtinës Qerim Qerimi, si drejtues i Senatit Akademik, i zgjedhur nga Këshilli Drejtues; Kryetari i Këshillit Drejtues Altin Sahiti, i emëruar nga Ministrja e Arsimit Nagavci; dhe Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci”, thekson ORCA.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme