“Kur një kandidaturë mobilizon Fakultet, senat dhe rektorat”, është ky mbishkrimi në një pankartë të vendosur me figurën e Eda Vulës dhe Fatlume Berishës, përmes të cilës organizata “ORCA” mbajti një aksion simbolik para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, për të kundërshtuar avancimin e profesoreshës Fatmire Berisha, raporton Ekonomia Online.
Dibran Hoxha nga “ORCA” në fjalën e tij pas aksionit simbolik tha se kjo është e papranueshme dhe se kandidatja nuk përmbush as kriteret minimale për zgjedhje të profesorit të rregullt, por që kjo sipas tij është edhe një tregues se si interesi personal mund të mobilizojë mekanizmat e tërë institucional për të anashkaluar vlerësim profesional.
“ORCA e konsideron të papranueshme mënyrën se si po tentohet të shtyhet përpara avancimi akademik i Fatlume Berishës nga Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës, ndonëse kandidatja nuk i përmbush kriteret minimale për zgjedhje në thirrjen e profesorit të rregullt. Rasti në fjalë është shndërruar në një demonstrim se si një interes personal mund të mobilizojë mekanizma të tërë institucionale për ta anashkaluar një vlerësim profesional dhe për të relativizuar kriteret akademike që duhet të vlejnë njësoj për të gjithë. Në mbledhjen e Senatit të 17 dhjetorit 2025, Trupa Këshilldhënëse e Rektorit nuk e rekomandoi kandidatën për avancim për shkak se ajo nuk i përmbushte kriteret minimale të punimeve shkencore. Njëri nga punimet ku Fatlume Berisha është autore korrespondente është i botuar në revistën ‘European Journal of Educational Research’ që figuron në listën e Jeffrey Beall për revista dhe botues të dyshimtë. Në vend që kjo çështje të trajtohej thjesht sipas rregullave ekzistuese, rasti u kthye në Fakultetin e Edukimit për rishqyrtim, duke hapur kështu një proces të panevojshëm që shpejt u shndërrua në përpjekje për të justifikuar një punim problematik”, tha Hoxha.
Ai përmendi edhe çështjen e Eda Vulës.
“Në këtë përpjekje u vu në funksion një komision i Fakultetit të Edukimit për kinse “rishqyrtimin e kredibilitetit të revistës”, ku anëtare e komisionit ishte pikërisht Eda Vula, autore e parë e këtij punimit që po tentohet të përvidhet, pra konflikt i hapur interesi. Vula e cila është edhe senatore nga Fakulteti i Edukimit ka avokuar fuqishëm që revista të pranohet si e vlefshme për avancim. Përmes këtij mekanizmi u prodhua një përfundim i parashikueshëm se revista qenka kredibile, ndërsa rasti u rikthye sërish në Senat për shqyrtim”, tha Hoxha para mediave.





