Organizata ETEA ka shprehur mbështetje për nismën që mundëson përfshirjen e edukimit seksual dhe shëndetit riprodhues në sistemin arsimor të Kosovës, duke përgëzuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) për këtë hap të rëndësishëm.
Në një reagim publik, ETEA theksoi rëndësinë e kësaj nisme për “zhvillimin e shëndetshëm fizik dhe emocional të fëmijëve,” duke shtuar se është një hap i vonuar, por i domosdoshëm për mirëqenien e tyre.
Duke iu referuar rëndësisë së edukimit seksual, ETEA thekson se “sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe UNESCO-s, edukimi seksual në shkolla kontribuon në uljen e sjelljeve të rrezikshme dhe të papërshtatshme, parandalimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, dhe uljen e shtatzënive të padëshiruara në adoleshencë.”
Organizata shprehu gjithashtu shqetësim për “fushatën e dezinformimit” rreth doracakëve të mësimdhënësve për këtë temë, duke theksuar se “pretendimet e pabazuara dhe manipulimet e qëllimshme nga individë publikë krijojnë panik në publik dhe pengojnë implementimin e programeve të rëndësishme arsimore.”
“Është veçanërisht shqetësuese që persona publik dhe media të caktuara nuk marrin mundin të lexojnë dhe analizojnë objektivisht materialet, por zgjedhin t’i deformojnë ato dhe plasojnë të cunguara, duke pretenduar se po krijohen kushte për abuzim seksual të fëmijëve brenda shkollave të Kosovës”, thuhet në reagim.
Duke adresuar ndjeshmërinë e çështjes, ETEA bëri thirrje për kujdes në përgatitjen dhe përkthimin e materialeve edukative për të shmangur keqinterpretimet. “Në një shoqëri me ndjeshmëri kulturore dhe të polarizuar në tema të tilla, është jetike që materialet edukative të jenë të përgatitura me kujdes dhe saktësi,” deklaron organizata.
ETEA apeloi që MAShTI të mos tërhiqet nga kjo iniciativë për shkak të presionit të grupeve të interesit, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të angazhimit për përfshirjen e edukimit seksual në arsim.
“I bëjmë thirrje MAShTI që të mos tërhiqet nga nisma si rrjedhojë e presionit të grupeve të interesit dhe të angazhohet për përfshirjen e lëndës së Edukimit Seksual dhe Shëndetit Riprodhues,” nënvizon ETEA.
Në përmbyllje, ETEA inkurajoi prindërit dhe opinionin publik që të mos ndikohen nga dezinformatat dhe të njohin përmbajtjen reale të doracakëve, ndërsa MAShTI-t i bëri thirrje për dialog të hapur me të gjitha palët e interesit për të adresuar shqetësimet dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta.
“Inkurajojmë prindërit që të mos ndikohen nga dezinformatat, por të kërkojnë informacione të sakta duke u njohur me përmbajtjen reale të doracakëve dhe rëndësinë që lënda ka për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve të tyre”, thuhet në reagim.