Organizatat e Shoqërisë Civile nëpërmjet një reagimi i kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të hartojë dhe zbatojë një plan emergjent ekonomik, me qëllim të vënies në dispozicion të të gjitha burimeve shtetërore dhe mobilizimit të burimeve tjera për përballimin e kësaj situate të rëndë.
Sipas OSHC, Republika e Kosovës është duke kaluar nëpër një gjendje të rëndë si rezultat i pandemisë COVID-19. Përveç pasojave shëndetësore, kjo gjendje është duke shkaktuar edhe pasoja të rënda ekonomike.
“Ndarja e ndihmave sociale 10 ditë para kohe dhe atë për dy muajt e ardhshëm, duke e falur pagesën e dytë, është një hap i Qeverisë që duhet vlerësuar, sikurse edhe paralajmërimi i ekzekutimit të hershëm të pagave për të punësuarit në sektorin publik. Por, Qeveria duhet të jetë shumë më e pranishme në trajtimin e pasojave ekonomike duke marrë masa shtesë e me shtrirje më të gjerë, me theks të veçantë në minimizimin e pasojave për të punësuarit në sektorin privat dhe rastet sociale”, thuhet në njoftim.
OSHC i ka propozuar Qeverisë që në pajtim me ligjet e aplikueshme të shfrytëzojë mundësitë e hyrjes në kredi, dhe të bëjë rishikimet e nevojshme buxhetore dhe të prioriteteve programore, për të krijuar fonde që përdoren për masa sa më universale mbështetëse ekonomike, me prioritet sektorin privat.
“Të themelojë një Fond të solidaritetit që menaxhohet dhe administrohet nga Qeveria e Kosovës, ku të gjithë të interesuarit brenda dhe jashtë Kosovës të mund të ofrojnë ndihmë financiare sipas vullnetit të mirë. Të gjitha mjetet e gjeneruara të shfrytëzohen për menaxhimin e situatës rreth COVID-19, duke u dhënë përparësi përballimit të nevojave emergjente të rasteve më të rrezikuara. Menaxhimi dhe administrimi i Fondit të bëhet në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme, me raporte të detajuara gjatë dhe pas tejkalimit të kësaj situate. Gjithashtu, i rikujtojmë Qeverisë së Kosovës kërkesat tona që së bashku me Bankën Qendrore të Kosovës të hyjnë në dialog urgjent me sektorin bankar në Kosovë për të pezulluar pagesat e kredive për të gjithë kredi-marrësit në një afat të paktën 3 mujor. Kjo, pa aplikuar kamatë-vonesat për këtë periudhë pezullimi”, thuhet në reagim.
Organizatat kanë kërkuar nga ministrat përkatës të ekonomisë dhe financave dhe zyrtarët tjerë përgjegjës që të ofrojnë informata të vazhdueshme dhe të detajuara, për t’u ofruar qytetarëve sigurinë e nevojshme që përveç aspektit shëndetësor, shteti është plotësisht i përkushtuar të udhëheqë edhe përballimin e pasojave ekonomike të shkaktuara nga shpërthimi i COVID-19.
Organizatat e shoqërisë civile mbesin të gatshme që të mbështesin Qeverinë e Kosovës në dizajnimin ose zbatimin e çfarëdo mase në të cilat kapacitetet tona vlerësohen të dobishme.