Organizatat e shoqërisë civile në përkrahje të protestës për shkarkimin e Lumezit

Prishtinë | 29 Gus 2018 | 11:17 | Nga

Pas dorëheqjes së ish prokurorit special z. Elez Blakaj, ne si organizata të shoqërisë civile përkrahim plotësisht protestën e organizuar nga grupi i qytetarëve për shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit z. Aleksandër Lumezi. Letra shpjeguese e z. Blakaj sinjalizon integritetin e dobët të sistemit të drejtësisë, në veçanti prokurorisë së shtetit përballë ndërhyrjeve politike, shantazheve dhe kërcënimeve, që vijnë edhe nga vetë kryeprokurori i shtetit, thuhet në njoftim.

Ndërhyrjet e kryeprokurorit Lumezi për të shmangur përballjen e figurave të larta të politikës me procesin e drejtësisë janë alarmante për drejtësinë në Kosovë. Në anën tjetër përbëjnë fakte të mjaftueshme që ne si shoqëri civile dhe qytetarë të kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të tij.

Ne besojmë fuqishëm se vetëm një sistem i drejtësisë i pavarur, me integritet dhe imun ndaj interferimeve të politikës do të mund të garantojë sundimin e ligjit, që është parakusht për funksionimin e shtetit demokratik.

Dorëheqja e kryeprokurorit Lumezi, do të rriste besimin qytetarë në drejtësinë e pavarur, prandaj ne përkrahim protestën qytetare, dhe kërkojmë që përveç shkarkimit të tij të fillojë edhe procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë sikurse në të gjitha vendet e rajonit.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të protestojnë sot për të garantuar një drejtësi të pavarur nesër!, thuhet në njoftim, transmeton Ekonomia Online.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme