Sindikata e UP-së kërkon të mos lejohet ndërhyrja e shoqërisë civile në çështjet e universitetit

Prishtinë | 29 Nën 2019 | 16:42 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka reaguar lidhur me siç thonë, veprimet e disa organizatave dhe individëve në raport me Universitetin e Prishtinës.

Përmes një komunikate për media, kjo sindikatë thotë se çështja e avancimeve të stafit akademik në UP është në kompetencë ekskluzive të Komisioneve profesionale vlerësuese dhe organeve kompetente në kuadër të Universitetit, duke filluar nga Departamentet, Këshillat e Fakulteteve e deri te Senati i UP-së dhe Rektori.

Sipas tyre, të gjitha avancimet e stafit akademik duhet të jenë plotësisht në harmoni me Ligjin për Arsimin e lartë në Republikën e Kosovës, Statutin e Universitetit të Prishtinës dhe Rregulloret përkatëse.

“Në kriteret dhe procedurat e avancimit nuk duhet lejuar interferimin e individëve jokompetent dhe grupeve të caktuara nga shoqëria civile, të cilët për qëllime të veta përfituese, me metoda perfide tentojnë të prishin imazhin e Universitetit të Prishtinës, i cili është i ranguar më së larti ndër të gjitha Universitetet e hapësirës shqiptare”, thuhet tutje në komunikatën e dërguar mediave.

Kjo sindikatë thotë se Universiteti i Prishtinës është tempulli i dijes dhe shkencës në Kosovë që i ka përballuar me sukses të gjitha sfidat gjatë historisë së vet, derisa thonë se do t’i përballoj edhe sfidat me të cilat tani po përballet.

“Kërkojmë nga Organet e Universitetit, organizatat studentore dhe nga institucionet e Shtetit që të jenë në funksion të mbrojtjes së imazhit të Universitetit të Prishtinës dhe të dinjitetit të stafit të tij”, kanë thënë ata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme