Organizatat ndërkombëtare thirrje Qeverisë: Të pezullohet shfuqizimi i certifikatës së Klan Kosova, të ndalet presioni

Prishtinë | 12 Kor 2023 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Organizatat më të rëndësishme që lobojnë në mbrojtjen e lirisë së mediave kanë kërkuar që të zgjidhet çështja e certifikatës së biznesit të Klan Kosova.

 Këto organizata dhe grupet e gazetarëve kanë bërë thirrje që certifikata e përditësuar e Klan Kosovës të pranohet nga Komisioni i Ankesave dhe të ndërpriten menjëherë të gjitha përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’i bërë presion televizionit Klan Kosova, shkruan Express.

Këto organizata potencojnë se kjo “thirrje e fundit e organizatave tona vjen pas vendimit të paprecedentë të Ministrisë së Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, të marrë më 14 qershor 2023, për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova Sh.PK dhe ngritjen e kallëzimeve penale kundër përfaqësuesve të saj”.

Këto organizata kanë thënë se mirëpresin vendimin e datës 16 qershor të KMP-së, që të shtyjë procedurat për 1 muaj në mënyrë që të jepet kohë në gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme.

Në këtë njoftim për media, këto organizata kanë thënë se i bëjnë thirrje ministres së Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari që të sigurojë që komisioni i ri të përbëhet nga individë të pavarur dhe të merret vendim në kohë dhe në mënyrë transparente.

 “Shpresojmë që Komisioni i Ministrisë të pranojë ankesën e Klan Kosovës dhe të shfuqizojë menjëherë pezullimin e certifikatës së biznesit. Një gjë e tillë do të ofronte garanci për të ardhmen e operacioneve të Klan Kosovës brenda vendit dhe do të siguronte që progresi pozitiv i bërë në zhvillimin e lirisë së mediave në Kosovë gjatë viteve të fundit të mos dëmtohet seriozisht”, thuhet në njoftim.

Organizatat që kanë nënshkruar këtë thirrje:

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ)

OBC Transeuropa (OBCT)

Reporterët pa Kufij

Të ngjashme