Rrjeti i organizatave mjedisore në Kosovë (KEN) ka lansuar platformën “Rrjeti Mjedisor i Kosovës”, përmes të cilit kanë bërë thirrje për të gjitha organizatat mjedisore që janë të interesuara të bashkohen në këtë rrjet, raporton Ekonomia Online.
Egzona Shala, koordinatore në organizatën EcoZ (Youth Ecological and Security Zone), ka thënë se nga përbërja e organizatave në Kosovë, vetëm një numër i vogël kanë pranuar një bashkëpunim të tillë deri më tash.
“Sipas departamentit të organizatave që ekzistojnë në Kosovë kemi rreth 130 organizata që funksionojnë për mbrojtjen e mjedisit. Por një numër i vogël janë aktivë që mbajnë aktivitete për mjedisin. Gjatë takimeve e kemi pa nevojën të krijojmë një rrjet që përfshinë të gjitha organizatat për mbrojtjen e mjedisit që janë në Kosovë”, tha ajo.
“Nga bashkëpunimi kanë dalë 16 organizata dhe një individ ekspert që kemi kriju rrjetin e mjedisit të Kosovës. Kjo ka dalë si zë i organizatave mjedisore. Rrjeti është i përbërë nga tri lloje të anëtarësive: anëtarë, bashkëpunëtorë të jashtëm dhe vëzhgues. Thelbi kryesor i rrjetit është dialogu, lobimi, avokimi dhe bashkëpunimi për të shtyrë çështjet mjedisore përpara”, tha Shala.
Ajo njoftoi se rrjeti ofron edhe informata rreth mjedisit për ata që janë të interesuar.
“Rrjeti është i formuar si shtyllë lidhëse për individë dhe organizata që kërkojnë dhe kanë nevojë për informata për mjedisin”, tha ajo.
Xhevdet Gegollaj, nga sekretariati i Rrjetit Mjedisor të Kosovës dhe përfaqësues i Fondacioni “ Jeshil”, ka prezantuar statutin e rrjetit dhe mënyrën se si funksionon.
“Jemi një grup i madh i organizatave që ndoshta qëllimin e kemi të njëjtë, mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë mjedisore, ka qenë e rëndësishme të dalim me një statut që e lidhë këtë platformë dhe e rregullon punën e kësaj platforme, raporton EO.
“Rrjeti është platformë për veprim të përbashkët në mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë e mjedisit në Kosovë. Statuti ka qenë rezultat i një pune të gjatë gjashtë mujore. Nuk kemi dashtë me kriju një institucion duplifikues, por qëllimi ka qenë me kriju një strukturë që e përforcon punën që jemi duke e bë deri tani. Puna jonë është e fokusuar që të bëjmë lobimin, të zhvillojmë dialog dhe shkëmbim të ndërsjellët mes organizatave anëtare dhe me strukturat e jashtme”, tha ai.