Organizatorët e Lojërave Olimpike 2020 janë “seriozisht të shqetësuar” nga shpërndarja e koronavirusit dhe ndikimit që mund ta ketë ky virus në Lojërat Olimpike që do të mbahen në Tokio të Japonisë këtë verë.
Disa gara kualifikuese për Lojërat Olimpike 2020 janë dashur të anulohet për shkak shpërndarjen së virusit dhe drejtori ekzekutiv i Komitetit Organizativ të Tokios shpreson që ky virus të çrrënjoset sa më shpejt në mënyrë që garat të vazhdojnë rregullisht, transmeton Gazeta Express.
“Jemi skajshmërish të shqetësuar në kuptimin që shpërndarja e virusit infektiv mund t’i prishë punë Lojërave Olimpike”, ka thënë Muto.
Më shumë se 24,300 raste me këtë virus janë regjistruar në Kinë dhe 490 njerëz kanë vdekur, përderisa 10 raste janë konfirmuar gjithashtu në një anije japoneze, që tashmë është izoluar.
Dy njerëz kanë vdekur nga ky virus jashtë Kinës – një në Hong Kong dhe një në Filipine.
Organizata Botërore e Shëndetit e ka deklaruar këtë si emergjencë shëndetësore globale, por ka thënë se nuk konsiderohet ende pandemike.
Zyrtarët e qeverisë japoneze, përfshirë këtu kryeministrin Shinzo Abe, thonë se do të punojnë shumë për ta minimizuar ndikimin që mund ta ketë në Lojërat Olimpike, që nisin më 24 korrik.
Saburo Kawabuchi, kryetari i Fshatit të Atletëve ku pritet të qëndrojnë mbi 11 mijë atletë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike, ka thënë se shpreson që gjithçka do të shkojë sipas planeve.
“Ne do të bëjmë gjithçka që kemi mundësi për t’i mbrojtur atletët dhe për t’ua mundësuar atyre të jenë në formën më të mirë për Lojërat Olimpike”, shtoi Kawabuchi.