Sezona e dasmave në Kosovë pritet të fillojë së shpejti.
E me lirimin e masave kundër COVID-19 edhe numri i dasmave është në rritje.
Ndaj, këtë vit këngëtarët tanë i pret një agjendë e ngjeshur pasi që rezervimet veç janë bërë.
Dy artistët e mirënjohur shqiptarë, Afrim Muqiqi dhe Meda në një prononcim për lajmi.net folën më shumë lidhur me sezonen e dasmave për këtë verë.
Për të gjithë ata që ende nuk kanë bërë rezervimet për dasma dhe dëshirojnë t’i kenë këta dy këngëtarë në mbrëmjen e tyre më të veçantë i pret një lajm i keq, e kjo pasi të dy artistët treguan se për këtë verë rezervimet kanë përfunduar.
“Rezervimet kanë përfunduar, shumica e rezervimeve janë të mbetura nga dy vitet e kaluara shkak i pandemisë”, tregoi këngëtari Afrim Muqiqi për lajmi.net.
“Rezervimet kanë filluar moti tek unë dhe ka përfundu numri i rezervimeve për këtë vit”, tha edhe artisti tjetër i mirënjohur, Meda.
Periudha, Qershor- Shtator është koha kur në trojet shqiptare organizohen një numër i madh i dasmave.
E të dy artistët treguan tutje se kur fillojnë dasmat dhe ne cilat vende kanë më shumë rezervime këtë vit.
Sipas këngëtarit Afrim Muqiqi, sezona pritet të fillojë nga 1 qershori dhe rezervime ka nga i tërë territori i Republikës së Kosovës.
“Ne jemi vlug të përgatitjes se sezonës të fillimeve te dasmave , aty këtu kanë filluar disa dasma te mbetura gjate pandemisë dhe sezona pritet të fillojë nga 1 qershori e rezervime kemi nga i tërë territori i Republikës së Kosovës” vazhdoi tutje ai.
Po ashtu edhe këngëtari shqiptar Meda tregoi se periudha e dasmave fillon nga qershori dhe rezervimet tërësisht janë nga trojet shqiptare.
“Sezona pritet të filloj nga Qershori dhe rezervimet janë nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia pra të gjitha trojet shqiptare”, tha në fund ai.