Një vepër e painterpretuar asnjëherë më parë, një tjetër e cila hyn në mesin e më të rëndësishmeve në repertorin e violinës dhe si përfundim pjesë nga suitat prej njërës nga kryeveprat e baletit, “Romeo e Xhulieta”, përthekuan programin e së martës mbrëma.
“Simfonia nr.1” e kompozitorit të njohur shqiptar Rexho Mulliqi është e para, të cilën ai e kishte shkruar gjatë kohës së studimeve. Si e tillë ajo ka vetëm një kohë. Por jo rastësisht u përzgjodh të luhet nga Orkestra e Filarmonisë së Kosovës. Këtë vit është 95-vjetori i lindjes së Mulliqit, i cili vdiq 36 vjet më parë.
Me interpretimin e kësaj vepre u kujtua kontributi i tij në muzikën shqipe. “Allegro”, koha e vetme e kësaj vepre, megjithëse duket e papërfunduar, nis me një tingull të qetë që në vete ngërthen elemente të muzikës së lehtë qytetare.
Ndikimi i këtij stili dallohet edhe më shumë kur prezantohet tema që e përcjell më pas veprën. Përfundon me dramacitet. Pas këtij kulmimi tingullor publikut iu servua një vepër tjetër.
Orkestrës iu bashkëngjit violinisti virtuoz belg, Marc Bouchkov. Ai solli veprën “Koncert për violinë në e-minor op.64” të Felix Mendelssohnit.
E shkruar për violinë dhe orkestër cilësohet si një vepër lirike dhe e rrjedhshme e llojit të vet dhe një prej më të performuarave në repertorin e koncerteve për violinë.