Tre mjek specialistë ortoped nga Spitali “Royal Medical” , kanë qenë pjesëmarrës në kongresin tre ditorë “Athens Shoulder Course”, i cili është mbajtur në Athinë të Greqisë (7, 8, 9 Shkurt, 2019), ku mjek nga e gjithë bota kanë këmbyer informacione, lidhur me trajtimin e avancuar të patologjive të krahut.
Por ajo çka e ka bërë me të veçantë këtë kongres për pjesëmarrësit nga Kosova, ka qenë dhe prezenca e flamurit të Kosovës, i cili kishte munguar në takimet tjera të kësaj natyre.
Megjithëse Greqia nuk e ka njohur Kosovën si shtet, kësaj radhe për dallim nga herët tjera, organizatorët e “Athens Shoulder Course”, ishin kujdesur që edhe Flamuri i Kosovës të ishte prezent në mesin e 30 shteteve pjesëmarrëse.
Në këtë kongres ku kishte pjesëmarrës, trajner dhe ligjërues nga e gjithë bota, Kosova u përfaqësua nga ortopedët specialist Dr.Qerim Kida, Dr.Agron Mahmuti dhe Dr.Lavdim Berisha, të cilët në cilësinë e delegatëve, përfaqësuan Kosovën dhe flamurin e saj.
Ortopedi Dr. Lavdim Berisha, i cili ishte pjesëmarrës në Kongresin “Athens Shoulder Course”, thotë se në këtë event, ku kishte trajner dhe ligjërues ndërkombëtar, u këmbyen informacione të shumta lidhur me trajtimin e avancuar të patologjive të krahut si dhe lidhshmëria e mirë mes pjesës teorike dhe asaj praktike, realizuar në “ Cadaver Lab” si dhe aplikimi i njohurive teorike në praktikë.
“Është kongresi i tretë që mbahet në Athinë për problemet e krahut. Për herë të parë kemi qenë 4 mjekë prej Kosovës. Realisht ne kemi qenë në këtë kongres edhe më herët, por për herë ta parë është prezantuar një Baner ku kanë qenë emrat e krejt mjekëve dhe flamujt e shteteve të cilët marrin pjesë. Çka ka qenë befasi për neve, është se për herë të parë është paraqitur flamuri i Kosovës edhe emrattonë si pjesëmarrës të kongresit dhe kursit që është mbajtur në Athinë”, tha Berisha.
Ndryshe, në Kongresin “Athens Shoulder Course”, kanë qenë ligjërues nga shtete të ndryshme të botës, kryesisht nga SHBA, Anglia, Greqia, Franca, Italia, Sllovenia, Norvegjia, Turqia ndërsa shtetet tjera kanë qenë kryesisht pjesëmarrës.