Misioni i OSBE-së në Kosovë do ta përmbyll Programin e Praktikës për vitin 2016 me një konferencë që mbahet sot në Prishtinё.
Këtë vit, programi 3 mujor i përkrahur nga OSBE-ja, ka mbledhur bashkë 30 student të rinj nga komunitete të ndryshme, të cilët kanë mësuar dhe parë nga afër mënyrat e politik-bërjes dhe zbatimit të tyre, si dhe njohuri praktike që do t’ju shërbejnë në të ardhmen.
Studentët kanë qenë të vendosur në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Administratës Publike, Institucionin e Avokatit të Popullit dhe Zyrën e Komisionerit për Gjuhët.
Pjesëmarrësit e programit do të flasin për përvojat e tyre nga praktika e kryer dhe gjithashtu do të paraqesin rezultatin e anketës mbi “Pjesëmarrjen e të rinjve në proceset vendimmarrëse në institucionet publike në Kosovë” që është iniciuar dhe kryer nga vetë praktikantët.
Në konferencë do të marrin pjesë përfaqësues të Misionit të OSBE-së në Kosovë, përfaqësues nga institucionet e nivelit qendror, universitetet, organizatat rinore dhe të shoqërisë civile.