Javën që lamë pas u shënua 46 vjetori i Odës së Avokatëve të Kosovës.
Kreu i kësaj ode, Osman Havolli në Sytë 7 të Klan Kosovës vlerësoi se ky përvjetor po e gjen mirë avokaturën në Kosovë.
“Është rritur numri i avokatëve, sidomos avokatëve të rinj, gjithashtu është rritur cilësia në punë. Ndërsa në rrafshin ndërkombëtar kemi arritur të sensibilizojmë për punën e OAK”.
“Sa i përket Unionit Ndërkombëtar të Avokatëve, ende nuk jemi anëtarë me të drejta të plota mirëpo marrim pjesë në të gjitha aktivitetet”.
“Shpresojmë të anëtarësohemi së shpejti. Të jemi pjese e këtij unioni dhe të jemi të përfshirë në të gjitha hallkat e këtij sistemi, d.m.th pjesëmarrja e avokatisë në këto organe, në një mënyrë i jep një njohje më të madhe Republikës së Kosovës, njëkohësisht dëshmon se avokatia në Kosovë funksionon dhe kemi një nivel të lartë”.
Havolli foli edhe për Gjykatën Speciale, me ç’rast tha se nuk ka informacione konkrete lidhur me aktakuzat potenciale.
“Informata kemi në vazhdimësi, jemi të kyçur në këto procese kemi informata protokollare – d.m.th ato që jepen për publik. Mund të kenë informata individuale avokatët për raste të caktuara”.
“Ende nuk i kemi të njohura rrethanat se kur do të jenë akuzat e para. Ka më shumë spekulime”.