Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani ka thënë se 24 marsi i viti 1999 shënoi kthesë të madhe për fatin tonë.
Në përvjetorin e 22 –të të fillimit të bombardimeve të NATO-s ajo ka shkruar në një postim në Facebook se kur pushteti serb po synonte shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë, SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, vendet anëtare të BE-së dhe Aleanca e NATO-s vendosën të parandalojnë një gjë të tillë duke i dhënë fund regjimit gjenocidal të Serbisë.
“Sot e përherë, i jemi mirënjohës pafundësisht të gjithë grave e burrave të forcave paqeruajtëse të NATO-s. Sot e përherë, i jemi mirënjohës të gjithëve që u rreshtuan në anën e drejtë të historisë. Pa kontributin tuaj, liria për ne do të ishte e pamundur”.
“Ne rilindëm, për ta ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi premisën e lirisë dhe një shtet të bazuar në premisën e barazisë qytetare!”
“Kemi bërë një rrugëtim të gjatë që nga ajo ditë. Përgjatë këtij rrugëtimi, mbrojtësit e lirisë sonë u shndërruan në mbështetësit më të fortë të procesit të shtetndërtimit të Republikës së re. Vendi ynë , Kosova jonë e dashur, po fuqizohet me mbështetjen e miqve tanë. Ka shumë punë për t`u bërë, por ne jemi të vendosur të punojmë fort e ta mbrojmë lirinë tonë me çdo kusht”
“Kjo datë është rikujtim historik për vuajtjet, vrasjet, të pagjeturit, dhunimet e dëmet që shkaktoi regjimi serb. Është rikujtim për breza të tërë që dhanë jetën për lirinë që e gëzojmë sot e për luftën e drejtë çlirimtare të popullit tonë. Në këtë datë, vlera e lirisë dhe e demokracisë kanë marrë një dimenzion të ri për ne por edhe për gjithë botën demokratike, e këto vlera mbeten përkushtim i yni i përhershëm”.
“Të rikujtojmë për të mos harruar me shikimin e qartë kah e ardhmja! E ardhmja është me Republikën e Kosovës anëtare të aleancës sonë shpëtimtare- anëtare të NATO-s”, shkruan Osmani.