Vjosa Osmani, që aktualisht e ushtron detyrën e Presidentes së vendit, pas nënshkrimit të marrëveshjes me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se bashkimi i tyre shkon përtej një liste dhe emrave të përveçëm, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka thënë se bashkimi i tyre është bërë për një kauzë të përbashkët e që është ç’kapja e shtetit, zhvillimi ekonomik, ruajtja e sovranitetit të vendit.
“Marrëveshja që kemi arritur sot përfaqëson vullnetin e qytetarëve tanë. Bashkimi jon shkon përtej bashkimit të një liste. Është bashkim për një kauzë që është në të mirë të qytetarëve tanë. Kjo që është arritur sot shkon përtej emrave individual dhe bindjeve ideologjike, sepse ka për qëllim ç’kapje e shtetit, zhvillimin ekonomik, arsimit… Jemi të vendosur për respektuar Kushtetutën ton dhe për të garantuar sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës”.
Osmani tha se vendi ka nevojë për një kryeministër të guximshëm, siç është Kurti.
“Albin Kurti do të jetë kryeministër i vendit. Kosova ka nevojë për një kryeministër të guximshëm”, tha ajo.
Osmani ka shtuar se do të punojnë bashkë në frymën e Skënderbeut, Ibrahim Rugovës e Adem Jasharit.
“Jemi një muaj larg zgjedhjeve dhe kjo që arritëm sot reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo.
Osmani theksoi se do të fitojnë mjaftueshëm besimin e qytetarëve edhe për ta zgjedhur Presidentin e vendit.