Osmani: Beteja e Koshares, ndër momentet më krenare të historisë sonë të re

Prishtinë | 09 Pri 2022 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani sot mori pjesë në manifestimin “Ditët e Shqipes” me rastin e 23-vjetorit të Betejës së Koshares. Ajo tha se kjo betejë është ndër momentet më krenare të historisë së re të Kosovës.

“9 prilli është ditë e veçantë në historinë e re të Kosovës. Beteja e Koshares tregoi se pabarazia në armatim nuk është çelësi përcaktues i luftërave. Shpirti luftarak i vajzave e djemve të UÇK-së, vendosmëria për ta parë vendin të lirë dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka ishin më të fuqishme se çfarëdo arsenali ushtarak”, ka shkruar Osmani.

Presidentja shtoi se Beteja e Koshares është dëshmi se liria nuk ka çmim dhe se vendosmëria për ta arritur atë dhe shpirti i një populli janë të pathyeshme.

“Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore për vajzat e djemtë e UÇK-së, por edhe për gjithë popullin e Kosovës. Ne u falemi atyre, sakrificës së Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Xhemajl Fetahut dhe mijëra dëshmorëve të tjerë që ranë për lirinë e Kosovës. Ata qëndrojnë në themele të lirisë dhe të shtetësisë sonë. I përjetshëm kujtimi për heronjtë e Koshares!”.

Në këtë manifestim Osmani takoi edhe familjarët e heroit Agim Ramadani.


Të ngjashme