Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, kanë marrë pjesë në shënimin e Ditës së Presidentit amerikan, raporton Ekonomia Online.
Ky manifestim u mbajt në Prishtinë pranë statujës së Presidentit Bill Clinton.
Presidentja Osmani ka thënë se miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është “testament i rrënjosur thellë”.
Osmani foli edhe për presidentin tanishëm të ShBA-së, Joe Biden, angazhimi i të cilit për Kosovën ka nisur që herët, për të vazhduar edhe si nënpresident, por edhe tani si president i SHBA-së, duke dëshmuar si një mik i madh i vendit dhe popullit tonë.
“Marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës është një dëshmi e këtyre vlerave të përbashkëta. Nga lufta jonë për liri dhe pavarësi e deri te ndërtimi i institucioneve tona të forta, të qëndrueshme dhe demokratike, Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar pranë nesh, duke ofruar mbështetje, udhëzime dhe miqësi. Shumë presidentë amerikanë kanë luajtur një rol kyç në këtë rrugëtim, duke kuptuar se kërkimi për liri dhe demokraci i kapërcen kufijtë gjeografikë. Vitin e kaluar fola për presidentin Klinton dhe përkushtimin e tij ndaj popullit të Kosovës, duke refuzuar të rri duarkryq dhe të shikojë njerëzit e pafajshëm që vuajnë. Ai u bë zëri ynë kur dekada të tëra shtypjeje dhe diskriminimi kulmuan në një luftë gjenocidale kundër nesh. Sot ktheva faqen në një kapitull tjetër, një kapitull për Presidentin Biden, presidentin aktual të Shteteve të Bashkuara, një njeri udhëtimi i të cilit nga sallat e Senatit në korridoret e Zëvendës Presidentit, dhe tani deri në kulmin e lidershipit si President i SHBA-së është shënuar nga një miqësi e fortë me vendin tonë dhe popullin tonë, veçanërisht gjatë momenteve kryesore që kanë formësuar trajektoren tonë”, ka thënë ajo.
Ambasadori Hovenier, ka thënë se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës i paraprin Presidentit Klinton dhe vazhdon pas tij.
Ai ka shtuar se lidhja e fortë të SHBA-së me popullin e Kosovës, mishërohet qartë nga statuja e Presidentit Klinton.
“Jam krenar që bashkohem me homologët e mi anembanë botës dhe i bëj homazhe detyres së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe të njoh lidhjen e fortë të SHBA-së me popullin e Kosovës siç mishërohet kaq qartë nga kjo statujë e Presidentit Klinton. Unë jam vërtet i nderuar, dhe në emër të Shteteve të Bashkuara, mund të them se jemi të gjithë kolektivisht të nderuar që Presidentja Osmani dhe ekipi i saj kanë udhëhequr përpjekjet për të siguruar që sot, në Ditën e Presidentit, ne i bëjmë homazhe të gjithë presidentëve të SHBA-së dhe i kushtojmë një nderim të veçantë Presidentit Klinton. Faleminderit Presidentja Osmani që në këtë mënyrë e nderoni festën tonë, e vlerësojmë këtë”.
“Pra, ndërsa siç theksoi me të drejtë presidenti Osmani, përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës i paraprin Presidentit Klinton dhe vazhdon pas Presidentit Klinton, dhe unë vetë mund t’ju tregoj për gjërat që unë kam parë Presidentin Bush, Presidentin Obama, Presidentin Biden dhe Presidentin Trump, të bëjnë për Kosovën. Faleminderit që na lejuat të ndajmë Presidentin tonë me ju sepse mendoj se shumë prej jush më thoni se ai është Presidenti ynë, dhe unë nuk mund ta thosha ndryshe. Faleminderit në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.
Sot në Shtetet e Bashkuara shënohet Dita e Presidentëve, që u bë fillimisht festë kombëtare në vitin 1879 për nder të ditëlindjes së Presidentit të parë amerikan, George Washington, më 22 shkurt.
Afro një shekull më pas në vitin 1968, Kongresi miratoi një ligj sipas së cilit disa festa kombëtare nuk do të shënoheshin në data të caktuara, por të hënave duke u dhënë kështu mundësi qytetarëve të kishin tre ditë rresht pushim.
Fillimisht, Dita e Presidentëve festohej vetëm në kryeqytet, por në vitin 1885 ajo u shtri edhe në pjesën tjetër të vendit.