Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së “Carvago by Gjirafa”, që do të lidhë kosovarët me tregun e madh online në Evropë për blerje dhe shitje makinash, raporton Ekonomia Online.
Në ceremoninë përuruese që u zhvillua në hapësirat e Parkut Teknologjik “Tech Park”, në Bërnicë të Poshtme, ata e kanë vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet kompanisë Gjirafa dhe Carvago nga Republika Çeke, duke theksuar se teknologjia është sektori me rritjen më të madhe në Kosovë dhe ka potencial për zhvillim të mëtutjeshëm.
Presidentja Osmani ka lavdëruar edhe kompaninë Gjirafa, duke e quajtur një rrëfim suksesi të Kosovës.
“Vërtet kënaqësi për të promovuar një produkt inovativ të kompanisë Gjirafa, si shenjë identifikuese e shtetit tonë. Çdo dite e me shumë po bëhen imazhi ynë. Gjirafa është një ndër rrëfimet e suksesit, kjo tregon që Kosova mund të tregojë më shumë. Inovacioni ka një rol përmbajtësor për zhvillimin e ekonomisë sonë”.
“Do t’i sjellë fitim jo vetëm shtetit tonë po do të ndikoje direkt në jetën e qytetarëve tanë. Kosova është interesuar të lidhet sa më shumë me tregun evropian dhe ‘Carvago’ është një mundësi e tillë. Është kënaqësi që sot bashkëpunim me Çekinë e thellon partneritetin tonë me një shtet që ka qëndruar gjithmonë pranë Kosovës, që ka qenë jo vetëm katalizator ekonomik po edhe katalizator që të rinjtë tanë të ecin lirshëm drejt Evropës”, ka thënë ajo.
Kompania Carvago është produkt i partneritetit ndërmjet kompanisë së teknologjisë digjitale, Gjirafa dhe kompanisë Carvago Holding nga Republika Çeke.
E konsideruar si njëra ndër arritjet e radhës sa i përket fushës së teknologjisë dhe inovacionit, Gjirafa shquhet si një ndër kompanitë me rritjen më të shpejtë në tregun kosovar dhe jashtë saj.
“Suksesi i Gjirafës është shembull i fuqisë transformuese të inovacionit, duke treguar se kompanitë vendore mund të konkurrojnë në tregun global”, është shprehur kryeministri Kurti.
Për të nxitur zhvillimin sa më të madh të inovacionit dhe rritjen gjithmonë e më shumë në rrjetin e teknologjisë informative, kryeministri Kurti, tha se po investojnë në nisma si Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve, që ndodhet në Prizren dhe Parku i Teknologjisë Digjitale në Bërnicë.
“Teksa përurojmë partneritetin ndërmjet Gjirafës dhe Carvago-s, le të festojmë edhe suksesin kolektiv të sektorit të teknologjisë digjitale në Kosovë”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se inovacioni dhe ndërmarrësia janë gurthemeli i progresit ekonomik dhe ato luajnë një rol kyç në formësimin e prosperitetit të vendit tonë dhe se bashkëpunimi ndërmjet Gjirafës dhe partnerit të tyre çek, është një dëshmi e besimit në rritje të kompanive ndërkombëtare në potencialin e vendit tonë.
Para të pranishmëve, kryeministri Kurti, teksa i përgëzoi dhe shprehu falënderimet e tij për investitorët për këtë arritje të re në fushën e teknologjisë, shtoi se suksese dhe bashkëpunime të tilla janë frymëzim për të gjithë.
“Histori të suksesit si këto, ka pa numër anë e mbanë Kosovës dhe këto janë frymëzim për të gjithë. Këto janë dëshmi të forta të një shpirti prej ndërmarrësie të paepur, të qytetarëve dhe biznesmenëve tanë dhe dëshirës për të kontribuar e për ta zhvilluar vendin, të atilla që mbështeten edhe në disiplinë, përveçse në pasion; që nuk shuhen kurrë, por vetëm mund të rriten”.
Të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme, ishin edhe ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, z. Bohumil Mazánek, themeluesi i kompanisë Gjirafa, Mërgim Cahani, si dhe Jakub Šulta, bashkëthemelues i kompanisë Carvago në Kosovë dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme.
Ambasadori Çek, Bohumil Mazanek, ka thënë se ky bashkëpunim thekson përkushtimin e dy vendeve që të nxisin zhvillimin ekonomik.
Ai tha se Republika Çeke do të mbështes fuqishëm bizneset fillestare të Kosovës
“Lanësimi i bashkëpunimit paraqet një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhënieve Kosovë-Çeki. Kjo nismë thekson përkushtimin e dy kombeve që të nxit zhvillimin ekonomik dhe lidhjen me të fuqishme të dy vendeve. Ekspertiza ndërkombëtare e Carvago do të nxit zhvillimin ekonomik. Republika Çeke mbështet fuqishëm bizneset fillestare të Kosovës”, ka thënë ai.
Shërbimi inovativ i Carvagos ua mundëson klientëve blerjen e automjeteve nga komoditeti i tyre shtëpiak. Me përkushtim ndaj transparencës dhe cilësisë, Carvago garanton gjendjen e çdo makine, pasi teknikët e saj ekspertë inspektojnë personalisht çdo automjet para se të dalë në shitje.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Shkëlqesia juaja, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,
Shkëlqesia juaj, Ambasador i Republikës së Çekisë në Kosovë, z. Bohumil Mazánek,
I nderuari z. Mërgim Cahani, themelues i kompanisë Gjirafa, ne e dimë që Gjirafa mbërrinë lartë, por në këtë rast lartë e më lartë,
I nderuari z. Jakub Šulta, bashkëthemelues i kompanisë Carvago në Kosovë,
Të dashur qytetarë dhe përfaqësues të bizneseve,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi të flas para juve sot për të shënuar edhe një arritje tjetër të rëndësishme në sektorin e teknologjisë së informacionit në Kosovë. Po e inaugurojmë hapjen e një kompanie të re brenda këtij sektori në Kosovë, Carvago by Gjirafa, një partneritet ky ndërmjet kompanisë së teknologjisë digjitale, Gjirafa dhe kompanisë Carvago Holding nga Republika Çeke.
Kërcimi mbresëlënës prej 113% që do të thotë më shumë se dyfishim në eksportin e shërbimeve në vitin 2022, e bën sektorin e teknologjisë sektor me rritjen më të shpejtë në ekonominë e vendit tonë. Me mbi 1500 kompani të regjistruara, nga të cilat më shumë se 85% eksportojnë shërbime, ka potencial të jashtëzakonshëm për rritje të mëtutjeshme. Qeveria jonë është e përkushtuar të çlirojë këtë potencial duke e promovuar inovacionin dhe ndërmarrësinë, si dhe duke krijuar një mjedis të favorshëm për zhvillim të biznesit e tërheqje të investimeve.
Demokracia dhe shteti i së drejtës janë parakushte thelbësore për konkurrencë të shëndetshme në kushte të barabarta për të gjitha bizneset dhe për një mjedis afarist të besueshëm e të parashikueshëm për investitorët. Gjatë këtyre tre viteve të fundit kemi bërë hapa të rëndësishëm në rrugëtimin tonë të avancimit demokratik, duke u ngritur për 21 vende në indeksin e Transparency International për luftën kundër korrupsionit dhe për 22 vende në indeksin e Lirisë së Mediave sipas World Press Freedom.
Ekonomia digjitale ka nevojë për autostrada digjitale për qarkullim të shpejtë e të sigurt të të dhënave. Që nga viti i kaluar, çdo fshat në Kosovë tashmë është i lidhur me internet brezgjerë. E sa i përket avancimit të infrastrukturës së komunikimeve mobile, ARKEP-i tashmë i ka ndarë frekuencat për 5G dhe operatorët mobilë kanë filluar të shtrijnë këtë teknologji në nivel vendi.
Rritja e vrullshme e kërkesës për profesionistë në teknologji të informacionit, është njëkohësisht edhe sfidë dhe mundësi për shtetin tonë. Ndërkohë, që universitetet dhe sektori privat po ofrojnë programet e tyre formale dhe joformale të studimit e të trajnimit, qeveria është duke kontribuar në trajnimin e më shumë se 3500 të rinjve e të rejave në fusha të ndryshme të teknologjisë.
Për të nxitur inovacionin, ne po investojmë në nisma si, Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren dhe Parku i Teknologjisë Digjitale këtu në Bërnicë, ku jemi mbledhur sot.
Këto platforma janë qenësore për ndërtimin e një ekosistemi të inovacionit, që ofron infrastrukturën dhe resurset e nevojshme për rritjen dhe zhvillimin e industrisë së teknologjisë digjitale në Kosovë. Inovacioni bëhet i frytshëm kur ka bashkëpunim ndërmjet bizneseve, ndërmarrësve, akademisë dhe kërkuesve dhe, këto platforma shërbejnë si qendra për shkëmbimin e ideve, krijimin e partneriteteve, dhe zhvillimin e komercializimin e produkteve inovative.
Inovacioni dhe ndërmarrësia janë gurthemeli i progresit ekonomik dhe ato luajnë një rol kyç në formësimin e prosperitetit të vendit tonë. Suksesi i Gjirafës është shembull i fuqisë transformuese të inovacionit, duke treguar se kompanitë vendore mund të konkurrojnë në tregun global. Bashkëpunimi ndërmjet Gjirafës dhe partnerit të tyre çek është një dëshmi e besimit në rritje të kompanive ndërkombëtare në potencialin e vendit tonë.
E sigurisht, që edhe ne i duam rrugët e mira e transportin e shpejtë dhe të sigurt në çdo aspekt të kësaj fjale.
Këto investime sjellin jo vetëm prurje kapitali, por edhe ekspertizë të vlefshme dhe ekspertiza të mira e përvoja ndërkombëtare, të cilët natyrisht që lehtë praktikohen më pas edhe tek ne.
Teksa përurojmë partneritetin ndërmjet Gjirafës dhe Carvago-s, le të festojmë edhe suksesin kolektiv të sektorit të teknologjisë digjitale në Kosovë.
Bashkë le të vazhdojmë ta kultivojmë një kulturë inovacioni, të tërheqim investime të huaja dhe të çojmë shtetin tonë drejt një të ardhmeje më të begatë për të gjithë.
Ky bashkëpunim është dëshmi që rritja vjen nëpërmjet inovacionit, thjeshtë nëpërmjet përsëritjes, pra nëpërmjet asaj që është e re dhe që mobilizon forcat e reja për suksese të tjera.
E kur themi ta çojmë vendin drejtë një të ardhme më të begatë, ne mendojmë për një të ardhme, e cila nuk është e largët, e cila nuk i takon vetëm gjeneratave të ardhshme, por edhe neve. E ajo e ardhme, e investimeve, e punësimit dhe eksportit, unë besoj që tashmë veçse është këtu. Në mesditë sot, unë do të shkoj në fshatin Verbicë të Kmetovcit në Gjilan, ku bëhet vendosja e gurthemelit të një fabrike atje për prodhimin e dyerve, dritareve, roletave dhe përpunimin e materialit të xhamit. Investitori, pronari është bashkëkombës i yni, i cili pas 20 vite po kthehet në vendlindje, për të jetuar, për të investuar, për të banuar, për të punuar dhe ai po kthehet në fshatin e tij të lindjes, ku planifikon që të punësojë deri në 150 persona, në fabrikën, që 95% e produkteve parashihen të jenë për tregun gjerman.
Histori të suksesit si këto, ka pa numër anë e mbanë Kosovës dhe këto janë frymëzim për të gjithë. Sikurse kjo e Gjirafës me Carvagon, sikur edhe shumë të tjera para kësaj që do të vijnë më pas. Këto janë dëshmi të forta të një shpirti prej ndërmarrësie të paepur, të qytetarëve dhe biznesmenëve tanë dhe dëshirës për të kontribuar e për ta zhvilluar vendin, të atilla që mbështeten edhe në disiplinë, përveçse në pasion; që nuk shuhen kurrë, por vetëm mund të rriten.
Unë ju përgëzoj për këtë të arritur të re, ju dëshiroj suksese të tjera dhe ju faleminderit të gjithëve.