Osmani e Kurti për Nënën Terezë: Ishte ideal që duhet ta ndjekë secili

Prishtinë | 04 Sht 2022 | 15:56 | Nga Ekonomia Online

Në prag të përvjetorit të gjashtë të shenjtërimit të Nënës Terezë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë vizituar motrat e Nënës Terezë.

Pas kësaj vizite, Kurti ka thënë se Nënë Tereza përkujtohet jo vetëm për angazhimin sakrifikues e kontributin human të saj, por edhe si ideal që duhet ta ndjekë secili.

“Sot erdhëm këtu me rastin e 6 vjetorit të shenjtërimit të Nënës Terezë, e cila me punën e saj të pamatshme, me sakrificën e saj të jashtëzakonshme, me dashurinë e saj të pakrahasueshme, u bë nëna e gjithë botës dhe na shtoi krenarinë neve si popull dhe si komb. Sot e përkujtojmë jo vetëm për angazhimin sakrifikues e kontributin e saj human, por njëkohësisht edhe si ideal që duhet ta ndjekim secili prej nesh”, ka thënë ai.

Ndërsa, Osmani ka thënë se motrat e Nënës Terezë po e vazhdojnë misionin e saj për më shumë se 30 vjet dhe se ato vijnë nga vende të ndryshme të botës.

“Nesër më 5 shtator e kemi edhe festën ku shënojmë edhe njëkohësisht kujtojmë veprën e madhe të Nënës Terezë, që të vizitojmë motrat e Nënës Terezë që e vazhdojnë misionin e saj me shumë përkushtim, me shumë vendosmëri për t’iu ndihmuar atyre që kanë nevojë, të moshuarve, të rinjve, atyre që kanë sëmundje të ndryshme, atyre që janë të vetmuar dhe nuk e kanë askund pranë. Këtë shërbim dhe këtë mision janë duke e kryer këto 30 vitet e fundit dhe motrat e Nënës Terezë vijnë nga vende të ndryshme të botës. Së bashku të gjithë edhe një herë treguam se sa krenarë ndihemi me shembullin që la pas Shën Tereza, e cila doli nga populli shqiptar dhe u bë nëna e të gjithëve me misionin e saj. Nesër do ta përkujtojmë me një sërë aktivitetesh”, ka thënë Osmani.

Të ngjashme