Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani e shoqëruar nga anëtari i Kryesisë, Besian Mustafa ka pritur sot në takim Jens Erik Grondahl, Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë dhe Arne SannesBjornstad, Përfaqësuesi Special i Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor.
Sipas një njoftimi për shtyp, Osmani i njoftoi diplomatët norvegjezë për përafrimin e programit të përbashkët qeverisës LDK-LVV, ku përqendrim të veçantë do të kenë rendi dhe ligji, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, rritja e punësimit të të rinjve dhe grave, investimet në kapitalin njerëzor përmes arsimit dhe shëndetësisë, etj.
“Jemi shumë optimist që certifikimi i rezultateve do të ndodhë shumë shpejtë që mundëson formimin sa më pare të Qeverisë së ardhshme e cila do të udhëhiqet nga njerëz të pakorruptuar” u shpreh Osmani.
Diplomatët norvegjezë falënderuan Osmanin për bashkëpunimin e vazhdueshëm të LDK-së dhe shprehën gatishmërinë e Qeverisë norvegjeze të vazhdojnë dhe thellojnë përkrahjen ndaj Kosovës në të gjitha proceset shtetformuese.