Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje të thellë për institucionet dhe qytetarët që po reagojnë me përgjegjësi dhe solidaritet përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve që kanë përfshirë disa zona të vendit.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani theksoi se menaxhimi i situatës po bëhet në koordinim të ngushtë ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror.
“Sot gjatë ditës kam qenë në komunikim me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren në koordinim të ngushtë dhe me mbështetjen e institucioneve qendrore”, ka shkruar ajo.
Presidentja nënvizoi se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave është e angazhuar vazhdimisht, në bashkëpunim me organet e rendit, ndërsa falënderoi edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për gatishmërinë e saj.
“Falënderoj edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për gatishmërinë e plotë për ofrimin e mbështetjes së menjëhershme, duke vënë në dispozicion kapacitetet e saj njerëzore dhe logjistike, nëse paraqitet nevoja”, theksoi Osmani.
Duke vlerësuar situatën si serioze, Presidentja u bëri thirrje qytetarëve për kujdes maksimal dhe respektim të udhëzimeve zyrtare.
“Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente”, ka shkruar ajo, duke shtuar se “bashkëpunimi i ngushtë dhe reagimi profesional mbeten vendimtare për përballimin me sukses të kësaj situate”, shtoi ai.