Osmani flet para Këshillit të Sigurimit të OKB-së për dhunimet seksuale gjatë luftës

Prishtinë | 19 Tet 2023 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani foli para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me dhunimet seksuale të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Osmani përmendi Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila doli publikisht të flasë për këtë çështje.

“Ajo ia kushtoi jetën drejtësisë dhe u shndërrua në zërin e mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë”, tha presidentja.

Ajo përmendi se si dhuna seksuale ishte një nga “taktikat brutale të përdorura nga regjimi i Millosheviqit”.

Osmani tha se s’ka qenë e lehtë për ta, por të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë kërkojnë drejtësi dhe duan që stigmatizimi i tyre të luftohet.

“Është e domosdoshme të sigurohet që të mbijetuarit të kenë akses për të pasur kujdes shëndetësor, kujdes psikologjik”, tha ndër tjerash Osmani.

Duke shpërndarë fjalimin e saj në Facebook, Osmani e falënderoi Shqipërinë “për nismën, si dhe për ftesën që të flas në emër të Republikës së Kosovës, duke i dhënë kështu zë mijëra të mbijetuarave të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë”.

“Mirënjohëse edhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar si bashkë-organizatorë të kësaj seance”, shkroi Osmani.

Të ngjashme