Osmani fton vendet e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik të investojnë në Kosovë

Prishtinë | 23 Sht 2023 | 18:32 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), Hissein Brahim Taha.

Në këtë takim Osmani ka falënderuar kreun e kësaj organizate për inicimin e rezolutës për njohjen e Kosovës nga shtetet anëtare të kësaj organizate të cilat ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu vlerësimin për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të OIC-ja, veçanërisht për Rezolutën vjetore të inicuar nga OIC-ja, e cila bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate. Në këtë frymë, Presidentja shfaqi shpresën që shtetet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë në një të ardhme të afërt”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim i cili u zhvilluar në New York, në kuadër të takimeve gjatë sesionit të 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, përsëritën përkushtimin e tyre për nxitjen e marrëdhënieve më të fuqishme e produktive ndërmjet Kosovës dhe OIC-së.

“Kosova ka potencial të konsiderueshëm të pashfrytëzuar për investime të huaja në sektorë të ndryshëm. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën e eksplorimit të fushave të mundshme për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të OIC-së, me fokus të veçantë në tregti dhe investime”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Në takim, Presidentja Osmani i bëri ftesë Sekretarit të Përgjithshëm Taha që në të ardhmen e afërt të vizitojë Kosovën për t`i shqyrtuar më tej mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.

Të ngjashme