Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se shteti serb gjatë luftës në Kosovës, ka përdorur si mjet të fortë dhunën seksuale, ndërsa ka deklaruar se historia nuk mbyllet pa dalë para drejtësisë autorët e krimit, raporton Ekonomia Online.
Në 25-vjetorin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Osmani i ka quajtur heroina dhe vetë nderi i Kosovës të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
Ajo vlerësoi Vasfije Krasniqin, dhe gratë e tjera kosovare që janë viktima të dhunës seksuale në Kosovë, dhe i quajti heroina të vendit. Osmani shtoi se dhuna seksuale u përdor si arma më mizore kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Ju keni arritur që këtë dhimbje të Kosovës ta shndërroni në një mesazh të paepur të thirrjes për drejtësi, ta dëshmoni që ata që menduan që mund ta çnderojnë Kosovën në fakt asnjëherë nuk kanë arritur dhe nuk do të arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë sepse ju jeni heroinat, krenaria dhe vetë nderi i Kosovës. Puna e cila nuk e ka fundin në këtë 25-vjetor por e ka v etëm fillimin sepse dua t’iu siguroj që mbështetja jonë për ju nuk do të ndalet por do të rritet dhe do të vazhdojë dhe ne gra e burra të Kosovës do të luftojmë për këtë kauzë”, u shpreh Osmani në konferencën Ndërkombëtare mbi dhunën seksuale lidhur me konfliktin, e organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
“Sikurse në shumë vende të tjera para luftës në Kosovë, edhe në luftën e Millosheviqit, u përdor si një armë, arma më mizore që ka njohur njerëzimi. Shkaktoi dhimbje që do të përshkonte gjeneratat. Pavarësisht të gjithave, historia dëshmoi dhe populli dëshmoi një qendresë të paepur e të jashtëzakonshme dhe kjo u dëshmua nëpërmjet guximit të të mbijetuarave për ta ngritur zërin, treguan një të vërtetë që kombi ynë e ka treguar ndër shekuj. Nuk ka krim që mund ta thyejë shpirtin e një populli, nuk ka. Duhet të luftojmë që historia mos të përsëritet, e dimë se nuk mjafton thjesht ta kujtojmë të kaluarën, padrejtësitë nuk duhet të kalojnë në heshtje. Lufta për drejtësi nuk është e lehtë por kjo nuk duhet të na zmbrapsë nga synimi ynë për të krijuar mekanizma edhe më efektiv që mbështesin të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës”.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti, tha se nga viti 2019 e deri këtë vit, kanë arritur të dokumentojnë rreth 1300 raste të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Nga 1300 raste të dokumentuara, 1 212 apo 93 për qind janë gra dhe vajza dhe 88 apo 7 për qind janë burra e djem.
“Kjo konferencë për neve ka rëndësi sidomos për ata që kanë rrugëtuar me neve për 25 vite sidomos në rehabilitin e dhunës seksuale gjatë luftës. Më kujtohet vjeshta e vitit 98-të dhe për herë të parë me ra të takoja njerëz që ishin plagosur në luftë, njerëz që i kishin humbur familjarët. Prindër që ishin ndarë nga fëmijët e tyre por edhe fëmijë që ishin ndarë nga prindërit. Në mesin e personave ishin edhe histori që nuk kishin zë fare e ata ishin të mbijetuarat e dhunës seksuale. Përpos ndihmës mjekësore ata kishin nevojë edhe për rehabilitim psiko-social”.
“Rreth 1 300 raste të dokumentuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Sot nuk janë viktima të heshtura por edhe lidere në komunitet. Ato janë ambasadore të reflektimit dhe zhdukjes së stigmës”, u shpreh Rushiti.
“Beteja për drejtësi nga të mbijetuarat e luftës filloi menjëherë pas luftës. Ato arritën që 23 vite më vonë të depononin dëshmi të cilët më pastaj prodhuan rastin e parë të dënimit për dhunë seksuale gjatë luftës për rastin Vukotiq”, deklaroi Rushiti.
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, pati kritika për mënyrën se si gratë e dhunuara gjatë luftës nuk po arrijnë të përfitojnë pension.
“Nuk mund ta dëshmojë para doktorit diçka që kanë ndodhur para 25 vite dhe kjo me të vërtetë është përdhunim për herë të dytë”, u shpreh Krasniqi.