Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të përbashkët ish-presidentët: Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli, raporton Ekonomia Online.
Osmani me këtë rast tha se të tre paraardhësit e saj i ka ftuar në takim për të dëshmuar respektin institucional.
“Kam ftuar në zyrën time ish-presidentët në këtë zyre kur kam hyrë për herë të parë si 23 vjeçare me ftesën e presidentit Sejdiu. Gjithashtu i kam ftuar për të ndërtuar një kulturë të re institucionale të respektimit të memories dhe traditës institucionale e cila është e domosdoshme nëse dëshirojmë të ecim përpara, duke mësuar nga ata që i kanë shërbyer shtetit nëpërmjet këtij institucione e të institucioneve tjera në periudha të ndryshme. Poashtu për të ndërtuar një model të ri të konsultimit të vazhdueshëm të presidentëve sidomos për çështje të interes nacional dhe mirëqenies social, duke mësuar nga përvoja e tyre. Dhe t’i bashkojmë forcat tona që t’i zgjidhim problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë”.
“Fatmir Sejdiu ka qenë presidenti i parë i Republikës së Kosovës pas pavarësisë dhe ka qenë njeriu kyç në proceset më historike të shpallës së pavarësisë së vendit, ndërtimit të konturave themelore sa i përket politikës së jashtme siç janë njohjet dhe anëtarësimet ndërkombëtare”
“Presidentja Jahjaga e cila ka qenë presidentja e parë grua e cila ndërtoi një model të shkëlqyeshëm të përfaqësimit të grave duke shtyer para kauza si çështje si barazia gjinore e çështja e personave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës dhe që besoj që bashkë do ta shtyejë para derisa të kemi drejtësi”
“Presidenti Pacolli, i cili njëherit ka qenë ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër që ka mbuluar politikën e jashtme një kohë të gjatë për të ndihmuar sidomos në çështjet e raporteve bilaterale me vendet veç e veç”.
Përderisa ish-shefi i Osmani, Fatmir Sejdiu, fillimisht i ka uruar asaj detyrën e re, duke e cilësuar si zgjidhje të mirë.
Madje ai është zotuar se do të bashkëpunojnë në të mirë të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi.
“Uroj që presidentja të ketë fat dhe mbarësi edhe në nivel personal edhe në atë nacional. Mendoj që është një zgjedhje e mirë. Është avantazh që kemi punuar bashkë në këtë sallë që nuk ka ndryshuar shumë”.
“Mendoj që me zgjedhën e ekipit të bashkëpunëtorëve të punoni edhe me Parlamentin, Qeverinë e shoqërinë civile. Shpreh gatishmërinë time që me gjithë kapacitetet të jap përvojën time dhe të ndihmojë vendin”.
Edhe ish-presidentja Atfitefe Jahjaga, e ka uruar Osmanin për postin e ri, duke i siguruar mbështetje të vazhdueshme.
“Ju uroj sukses juve dhe ekipit të jashtëzakonshëm. Është traditë e mirë e bashkëpunimit me ish-presidentët. Jemi zgjedhje e mirë për qytetarët veçanërisht për gratë”.
“Do të na kesh në krah në secilin punë të interesit tonë si shtet. Me si gra kemi shumë që të diskutojmë, pasi ne edhe po ballafaqohemi me disa paragjykime të shoqërisë”.
Kurse ish-presidenti Behgjet Pacolli, Osmanin e ka quajtur përfaqësim dinjitoz, raporton EO.
“Jam i lumtur që Kosova ka një përfaqësim dinjitozë dhe ne do të qëndrojmë prapa me atë që dimë. Vullneti dhe dëshira nuk do të mungojë”.
Poashtu në lidhje me këtë takim, Osmani ka shkruar në profilin e saj zyrtar në Facebook:
Kultura e mirëfilltë shtetërore ndërtohet vetëm duke e njohur dhe respektuar traditën institucionale dhe duke e shndërruar atë në përvojë të vyer, së cilës mund t’i referohemi dhe nga e cila mund të mësojmë vazhdimisht.
Për këtë qëllim, sot pata kënaqësinë t’i pres dhe të bashkëbisedoj me ish-presidentët e Kosovës, Prof.dr. Fatmir Sejdiu, znj. Atifete Jahjaga dhe z. Behgjet Pacolli. Përvoja e secilit prej tyre është e rëndësishme për rrugëtimin që do ta ndjekë institucioni ynë, por edhe mundësi për të krijuar një frymë të re në jetën tonë institucionale, atë të këshillimit të vazhdueshëm me ish-presidentët, si njerëz të cilët kanë bartur mbi supe barrën e udhëheqëjes së institucionit më të lartë të vendit në periudha të ndryshme.
Bashkërisht u pajtuam që vazhdimisht të konsultohemi për çështje në interes të vendit. Mendimi i tyre i vlefshëm do të respektohet, ndërsa ne do t’i inkurajojmë ata që në cilësinë e ish-presidentëve ta vazhdojnë përkushtimin ndaj Kosovës, duke e shpërndarë imazhin e vendit të tyre gjithandej botës, nëpër forume të ndryshme politike e përfaqësuese.