Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që ta kthejë në Kuvend Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, “Betimi për Drejtësi” shkroi se e ka siguruar vendimin e Osmanit, i cili parasheh shfuqizimin e Ligjit për Themelimin e Këshillit.
Në arsyetim, Presidentja thekson se Ligji i miratuar nga Kuvendi ka fshirë të gjitha dispozitat e ligjit paraprak, me të cilin rregullohet mandati, funksionimi, kompetencat dhe përbërja e Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme, duke arsyetuar se në mungesë të një ligji tjetër në fuqi që e rregullon këtë fushë, funksionimi i Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbetet krejtësisht i parregulluar.
Kjo sipas vendimin, rrezikon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të shtetit tonë dhe duke krijuar zbrazëti ligjore në rregullimin e funksionit të Këshillit të Sigurisë në gjendje të jashtëzakonshme.
Po ashtu, Presidentja në vendimin e saj ka përmendur se Ligji në fjalë bie në kundërshtim me nenin 125 (2) dhe nenin 127 (3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Sipas Presidentes, mospërfshirja e dispozitave që rregullojnë funksionimin e Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, krijon vakum juridik.
Si vazhdë e kundërshtimit me Kushtetutën, neni 131 (8), të këtij ligji, Presidentja thekson edhe çështjen e rregullimit me ligj të funksionimit të Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, duke thënë se paragrafi 8 i këtij neni shprehimisht përcakton se Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës do të drejtohet nga Presidenti i vendit, sikur rregullohet me ligj.
Presidentja i ka rikujtuar Kuvendit edhe se në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese (KO34/19), Kuvendi obligohet që gjatë nxjerrjes së ligjeve të ketë parasysh frymën e Kushtetutës dhe fushëveprimin e institucioneve kushtetuese.
Osmani në vendimin e saj ka renditur edhe pasojat e zbrazëtirave ligjore në Ligjit për Këshillin e Sigurisë, duke thënë se miratimi i një ligji të ri i cili krijon zbrazëti ligjore pikërisht në një fushë e cila ndërlidhet ekskluzivisht me kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, bie ndesh me standardet dhe praktikën e krijuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në këto rrethana, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka kthyer për rishqyrtim Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ligjin Nr. 08/L-287 për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të përfshirjes së kapitullit i cili rregullon funksionimin e Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.
Lidhur me kthimin e këtij Ligji në rishqyrtim, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në Kuvendin e Kosovës për të kuptuar edhe se çfarë veprime janë ndërmarrë nga ky institucion pas pranimit të shkresave si dhe ka kontaktuar zytarët e Kuvendiit, mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi nuk kemi marrë përgjigje.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi tani është i obliguar të rishikojë projektligjin dhe të shqyrtojë komentet dhe rekomandimet e Presidentes. Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.
Pas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, kjo është hera e dytë që Presidentja Osmani përdor të drejtën për të kthyer ligje në Kuvend për rishqyrtim gjatë mandatit të saj si Presidente.