Osmani: Janë duke vazhduar diskutimet për planin e tranzicionit të zbatimit të rregullores së BQK-së

Prishtinë | 19 Shk 2024 | 15:38 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se janë duke vazhduar diskutimet se cili do të jetë plan i tranzicionit të zbatimit të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e ku do të merren parasysh shqetësimet e të gjithëve, raporton Ekonomia Online.

Presidentja Osmani tha se nuk është e vërtetë që ka prishje të raporteve me ShBA-në për shkak të çështjes së dinarit. Ajo i bëri komentet për disa medie, pasi së bashku me ambasadorin e ShBA-së, Jeffrey Hovenier, mori pjesë në shënimin e Ditës së Presidentit amerikan, në një manifestim që u mbajt pranë statujës së Presidentit Bill Clinton në Prishtinë.

Osmani ka thënë se ShBA-ja dhe aleatët e tjerë nuk janë duke kërkuar që të mos respektohet Kushtetuta, porse, sipas saj, është duke kërkuar një plan tranzicioni për zbatimin e rregullores së BQK-së. 

Ajo ka theksuar se si presidente e vendit vazhdimisht ka inkurajuar institucionet (e tjera) të Kosovës që bashkëpunimin ta kenë në maksimum me aleatët.

“Çështja nuk është çështja e dinarit, SHBA dhe aleatët tjerë nuk po kërkojnë ta mbajmë dinarin të jemi të qartë dhe nuk do duhej të krijohet një përshtypje që ndokush po kërkon prej nesh që të mos ta respektojmë Kushtetutën sepse nuk është e vërtete. Pra kemi një mirëkuptim të plotë dhe në fakt qëllim të përbashkët me aleat tanë ne veçanti me SHBA që Kushtetuta jonë të respektohet në plotëni. E tëra që është duke u diskutuar është një plan tranzicioni për zbatimin e rregullores së BQK, pra që nuk ka të bëjë me punën e BQK-së rregullorja mbetet ajo që është askush nuk po kërkon që rregullorja të ndryshoj e cila bie nën domenin e BQK-së, po institucionet që e zbatojnë atë. Institucionet ligjzbatuese sikurse edhe për çdo vendim tjetër ndërtojnë planë të zbatimit, edhe në këtë rast ende janë duke vazhduar diskutimet se cili do të jetë plan i tranzcionit të zbatimit i cili do të i merr parasysh shqetësimet e të gjithëve”. 

“Sikurse çdo herë tjetër bashkëpunimi me aleatët tanë, asnjëherë nuk e çon Kosovën në rrugën të gabuar kështu që si Presidente e vendit vazhdimisht i inkurajoj institucionet që bashkëpunimin ta kenë në maksimum, sepse sa herë veprojmë të bashkuar jemi shumë më të fort, dhe të njëjtën gjë e kërkoj edhe tani, dhe jam e bindur qe jemi në rrugë të drejtë, ky plan tranzicionit të arrihet me pajtimin e të gjithëve, dhe të jemi efektiv në tërësi por bashkë me aleatët tanë në zbatimin e Kushtetutës tinë në çdo cep të vendit”, ka thënë ajo. 

Të ngjashme