Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në Samitin e Diasporës në Tiranë, vlerësoi lart rolin e diasporës shqiptare në angazhimin për liri dhe pavarësi.
Osmani në fjalimin e saj tha se mërgata jonë ka kaluar në periudha të vështira, por sërish i kanë mbetur besnikë atdheut.
“Përkundër rrethanave të vështira historike, mërgata jonë ka mbetur thellësisht e lidhur me atdheun, duke i mbetur besnike rrënjëve”, tha Osmani.
Ajo tha se janë shumë arsye që duhet të krenohemi që jemi shqiptarë.
“Shumë figura nga mërgata jonë janë shndërruar në referenca botërore. Nga Dua Lipa, krenaria e vendit tonë e deri të Rita Ora e artistë të tjerë të mëdhenj, na kanë bërë vazhdimisht krenarë. Nga zëri magjik i Elbenita Kajtazit e Ramë Lahajt e deri te futbollistët tanë në ekipe të ndryshme botërore si Xhaka, Shaqiri, Muriqi, e shumë e shumë të tjerë, futbollistja jonë kampione Kosovare Asllani e shumë e shumë të tjerë në sporte të ndryshme…pavarësisht se ku kanë luajtur apo performuar, zemrat tona gjithnjë rrahin një me të tyret.
Fjalimi i Presidentes Osmani në Samitin për Diasporën në Tiranë
I nderuar president Begaj,
I nderuar kryeministër Rama,
E nderuar kryetare e Kuvendit znj. Nikolla,
I nderuar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z.Talat Xhaferi,
Zëvendëskryeministra, ministra e përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Presheva, Medvegja, Bujanoci e treva të tjera shqiptare,
Të dashur vëllezër e motra,
Mërgata jonë është sublimim i përpjekjeve të gjata e të kahershme për liri, për pavarësi dhe për shtetndërtim.
Prandaj, jam jashtëzakonisht e nderuar që jam sot këtu në Tiranë, në qytetin, i cili na mbledhë zakonisht ne shqiptarëve kudo që jemi, aq më tepër në Samitin që I dedikohet mërgatës sonë, e cila vazhdon të jetë një katalizator i ndryshimit pozitiv kudo që jetojnë shqiptarët.
Mërgata shqiptare është simbol i qëndrueshmërisë, i forcës dhe shpirtit të palëkundur të popullit e të kombit tonë.
Gjatë historisë, shqiptarët, pa dëshirën e tyre, janë shpërndarë në mbarë globin, por gjithnjë duke mbajtur trashëgiminë tonë të pasur kulturore, traditat dhe identitetin e paepur shqiptar.
Nga ky cep i Evropës e deri në kontinentet më të largëta, shqiptarët kanë lënë gjurmë, duke u integruar e arritur suksese në shtetet në të cilat emigruan, por gjithnjë duke ruajtur themelet dhe rrënjët e tyre.
Mërgata jonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në secilin shtet ku jeton dhe vepron, duke kontribuar me aftësitë, njohuritë dhe përkushtimin e palëkundur të punës në fushat e ndryshme.
Pavarësisht sfidave me të cilat është përballur, mërgata shqiptare ka mbetur thellësisht e lidhur me atdheun, duke i mbetur besnike rrënjëve.
Fati historik e treti nëpër botë një pjesë të njerëzve tanë, por lidhja e fuqishme me vendin e origjinës, respekti ndaj traditës, bëri që ata asnjëherë mos t’ia kthejnë shpinën atdheut, duke u bërë ura më e fuqishme lidhëse e shteteve tona me botën.
Nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja e Bujanoci, mërgata jonë është një!
Përderisa jemi mbledhur sot të gjithë këtu mos të harrojmë se vëllezërit dhe motrat tona në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc akoma përballen me diskriminim sistematik që rezulton edhe me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Si gjithnjë, u themi edhe sot ju nuk jeni vetëm! Të gjithë jemi bashkë me ju, të gjithë jemi bashkë me ju në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Prandaj, edhe në këtë kauzë, në këtë kauzë për mbrojtjen e tyre duhet dhe do të jemi një.
Roli historik i mërgatës shqiptare është i jashtëzakonshëm. Përgjatë kohërave sfiduese, ata ishin dhe janë ambasadorë të kulturës sonë, avokatë dhe avokues të kauzave tona dhe përkrahës të vendosur të aspiratave tona kombëtare.
Mërgata shqiptare, padyshim është shtylla e lëvizjes kombëtare për liri, e për pavarësi të shqiptarëve.
Solidariteti dhe mbështetja e tyre e palëkundur kanë qenë burim force për ne në rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë e demokracisë por edhe drejt fuqizimit të shtetndërtimit e prosperitetit të popullit tonë.
Në vitet e tetëdhjeta e nëntëdhjeta mërgata jonë ishte zëri ynë në të gjitha qendrat e vendimmarrjes, nga Uashingtoni në Bruksel, nga Berlini në Paris, e në Romë e në shumë vende të tjera. Ishte zëri i fuqishëm i një populli të shtypur që synonte dhe luftonte për lirinë. Ishte mërgata jonë ajo që qëndroi në ballë të qëndresës sonë, luftës për mbijetesë dhe luftës për shtet të pavarur e sovran.
Por mbështetja e mërgatës nuk u ndal me kaq. Kontributi i saj prej dekadash e ka shndërruar atë edhe në një krah të fortë ekonomik të familjeve dhe shtetit të Kosovës.
Ky angazhim nuk u ndërpre asnjëherë.
Falë kontributit të mërgatës sonë u arrit të mbahej gjallë edhe sistemi paralel i arsimit, shëndetësisë dhe kulturës në vitet e nëntëdhjeta, në një kohë kur populli shqiptar në Kosovë po rrezikohej nga shfarosja.