Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, në seancën e jashtëzakonshme me kërkesën e 42 deputetëve që të ketë debat parlamentar lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Kosovës, ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë.
Ajo ka theksuar se pas përfundimit të këtij debati pret miratimin e rezolutës për dorëheqjen e kësaj Qeverie.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës pas debatit parlamentar në seancën e jashtëzakonshme lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës me propozim të Grupit Parlamentar të LDK-së dhe VV-së, nxjerr këtë rezolutë me një pikë të vetme: Me qëllim të ndërprerjes së çdo përpjekje që konteston shtetësinë dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës të dorëhiqet për t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja të cilat duhet ta konsolidojnë dhe ta forcojnë shtetësinë e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, në përputhje me orientimet e saj gjeopolitike për integrime euro-atlantike”.
Osmani ka vlerësuar se politika e jashtme e Kosovës ka dështuar dhe se me hapjen e temës së korrigjimit të kufijve është hapur edhe tema e shtetësisë së Kosovës.
“Presidenti i rrezikshëm i vendit tonë po rrezikon miqësitë e kamotshme të Kosovës me aleatët ndërkombëtar. Kur kërkohet të mos nënshkruaj asgjë pa bekimin e Gjermanisë, ai mburret se përkundër mos bekimit të Gjermanisë e ka atë të Rusisë”.
“Në këtë aventurë të rrezikshme, presidenti i vendit vazhdon me idenë ruso-serbe për çështjen e kufijve, dhe duke parë që nuk po gjen përkrahje nga partitë politike në vend, presidenti e ka gjetur një aleat, ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli”.
Osmani deklaroi se kjo temë i ka kushtuar Kosovës me mungesë të njohjeve dhe dështim në anëtarësimin nëpër organizata botërore.
Të premten, kjo seancë e thirrur nga opozita për të diskutuar, sipas tyre, dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Kosovës dështoi.
Mungesa e ligjvënësve dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, shtyri thirrësin e këtij debati, LDK-në, të tërhiqet.
Pacolli me një letër drejtuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe deputetëve, ka kërkuar shtyrjen e seancës së jashtëzakonshme në të cilën do të sqaronte dështimet e Kosovës në politikën e jashtme.
Pacolli në këtë letër është arsyetuar se ka agjendë të caktuar më herët dhe se për këtë shkak ka kërkuar shtyrjen e seancës.
Kjo seancë mbahet dy ditë pasi Kosova dështoi të anëtarësohet në organizatën ndërkombëtare për bashkëpunim policor, Interpol.
https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/1954049074679866/