Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryeministre të vendit, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe te varri i Presidentit, Ibrahim Rugova dhe te varri i ish-ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, raporton Ekonomia Online.
Ajo në 21-vjetorin e vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit tha se ai u vra pabesisht nga njerëzit që nuk e deshën pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.
“Sot, 21 vjet më parë është vrarë pabesisht në Tiranë kolonel Ahmet Krasniqi, ministri i parë i Republikës së Kosovës, një atdhetar i shquar, një strateg ushtarak i pashoq i cili kishte përgatitjen profesionale por mbi të gjitha atdhedashurinë për të mbledhur njerëzit më të mirë të këtij vendi për të organizuar luftën çlirimtare për Republikën e Kosovës. Ai punoi me shumë shokë të tij të cilët janë sot këtu me ne dhe e njohu si Komandat Suprem, Presidentin Historik Ibrahim Rugova, për të ndërtuar celulat e para të mbrojtjes së Kosovës por për fat të keq u vra pabesisht nga njerëz të cilët ishin kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër lirisë”, tha Osmani.
Ajo ka kërkuar zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit ngase tha do të mbetet plagë e hapur për gjithë Kosovën.
“Edhe sot pas 20 vjetëve kërkojmë të zbardhet vrasja e tij, jo vetëm pse mbetet plagë e hapur për familjen, por për shkak se është plagë e hapur për të gjithë ne dhe Republikën e Kosovës. Do tu qëndrojmë gjithmonë në krah të drejtësisë dhe asnjëherë të hakmarrjes”.
Osmani tha se homazhe bëri edhe te varri i Presidentit, Ibrahim Rugova, pikërisht në “Ditën e Paqes”, ngase sipas saj Rugova ishte simbol i paqes për gjithë botën.
“Sot është “Dita e Paqes”, ne bëmë homazhe te varri i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, i cili ishte simbol i paqes jo vetëm për Kosovës, por për gjithë botën sepse bëri gjithçka që ta mbrojë popullin dhe gjithë botës ti tregojë se sa atdhedashës janë populli i Kosovës”, tha ajo, raporton EO.