Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, lidhur me dakordimin e Aneksit të Marrëveshjes Bazë me Serbinë, ka deklaruar se Kosova u dëshmua të jetë e vetmja palë në dialog që u tregua konstruktive dhe e interesuar për paqe e stabilitet.
Përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidencës, kryetarja Osmani, ka thënë se edhe tani me dakordimin e Aneksit të Marrëveshjes Bazë, Kosova u dëshmua të jetë e vetmja palë në dialog që u tregua konstruktive dhe e interesuar në paqe e stabilitet, teksa shprehu pritshmëritë e saj nga ndërkombëtarët për mbështetjen e mëtutjeshme të Kosovës në rrugëtimin e saj në proceset integruese euroatlantike.
“Pres të realizohen zotimet e aleatëve tanë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për njohje nga shtetet jonjohëse”, ka shtuar ajo, ndërsa shtoi se nga Serbia nuk ka asnjë pritje, sikundër u shpreh, ata do të vazhdojnë të shkelin marrëveshjet e dakorduara, siç kanë bërë këto 12 vjet.
“Nëse dëshirojmë zbatim të mirëfilltë të marrëveshjes duhet të ndryshohet qasja akomoduese ndaj regjimit të Serbisë dhe të penalizohet secili tentim i tyre për destabilizim të situatës në terren, si dhe jokonstruktiviteti e bllokada e tyre e vazhdueshme”, është shprehur Osmani-Sadriu.