Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Velani, duke thënë se sakrifica e tyre qëndron e palëkundur në themelet e shtetit, raporton Ekonomia Online.
Presidentja Osmani tha se dëshmorët kanë ndërtuar rrugën e shtetësisë së Kosovës.
“Sot është dita e dëshmorëve të Prishtinës, një prej ditëve kur të gjithë ne bëhemi bashkë. Dita kur ne duhet t’i flasim gjeneratave të reja. Rruga më sublime është rruga që ka ndërtuar secili dëshmorë”, tha ndër tjerash ajo.
Ndërsa, Konjufca tha se pjesa më e lavdishme e historisë së Kosovës është lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sakrifica e tyre qëndron e palëkundur në themelet e shtetit tonë. Sa të ketë komb shqiptar ata do të nderohen gjithmonë. Pjesa më e lavdishme e historisë është lufta e UÇK-së. Lavdi të gjithë martirëve”, u shpreh ai.
Në anën tjetër, Kurti u shpreh se sakrifica e dëshmorëve nuk do të harrohet asnjëherë.
“Ne kthehemi dhe rikthehemi në këto vende, në mënyrë që t’ia rikujtojmë popullit sakrificën e tyre, por edhe për të përkujtuar amanetin e tyre që të vazhdojmë për mirëqenie e barazi që nuk e përjashton asnjë njeri”, tha tutje ai.
Ndryshe, ditët e 17,18,19, 20 dhe 21 prillit të vitit 1999, për shumë familje dhe qytetarë të trevave të Llapit e Gollakut që kishin marrë rrugën e shpëtimit përmes fshatrave Koliq, Grashticë, Makoc e Llukar, për shumëkënd u shndërruan në ditë tmerri e krimi të paparë.