Në 22-vjetorin e masakrës së Izbicës, kandidatja për presidente Vjosa Osmani, ka kërkuar drejtësi për vajzën 6-muajshe Dafinën, e vrarë nga forcat serbe.
“Eshtrat e Dafina Qelajt janë gjetur në varrezën masive të Petrovo Selos në Serbi më 2017. Në po të njëjtin vit, ajo është rivarrosur në varrezat e Izbicës”, shkruan Osmani.
Postimi i saj i plotë:
Drejtësi për Dafinën 6-muajshe!
Sot bëhen 22 vjet nga masakra e Izbicës, kur forcat ushtarake e policore të regjimit gjenocidal të Serbisë, vranë një vajzë gjashtë muajshe dhe 146 djem e burra.
Eshtrat e Dafina Qelajt janë gjetur në varrezën masive të Petrovo Selos në Serbi më 2017. Në po të njëjtin vit, ajo është rivarrosur në varrezat e Izbicës.
Historia e Dafinës nuk është vetëm e saj. Është edhe e mbi njëmijë fëmijëve të vrarë në luftën e Kosovës, nga të cilët 109 ende rezultojnë të zhdukur.
Kjo histori është dhimbja jonë. Në çdo 28 mars, kujtimi për këta njerëz që u privuan nga jeta vetëm pse ishin shqiptarë është rikujtim për adresim të përgjegjësisë së kryerësve, është thirrje për drejtësi, është kujtesë historike dhe personifikim i mbijetesës!
Në dekadën e dytë që prej se jemi të lirë, duhet të reflektojmë për rrugën që kemi kaluar, sepse Masakra e Izbicës është dëshmia para së cilës duhet të përkulemi të gjithë dhe para së cilës duhet marrim forcën për të thënë dhe kërkuar të drejtësinë.
E mbi të gjitha drejtësi për Dafinën!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të rënët në Masakrën e Izbicës!