Kur ka mbetur vetëm edhe një ditë deri në konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë filluar të shpeshtohen zërat që kërkojnë të respektohet vullneti qytetar për një koalicion me Vetëvendosjen.
Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani.
Sipas saj vullneti i 6 tetorit duhet respektuar, dhe kushdo që luan me këtë vullnet është duke luajtur me fatin e Kosovës.
“Interesi shtetëror duhet te jete mbi atë individual. Pavarësisht sfidave qe i kemi në këto momente, duhet të gjithë të ia kujtojmë vetes se nuk ka asgjë më të shenjtë se vullneti qytetar. Dhe ky vullnet është përcaktuar qartë për koalicionin LDK-VV. Kushdo që luan me këtë verdikt të qytetareve, është duke luajtur me fatin e Kosovës” ka thënë Osmani për Express.
Tejkalimin e mospajtimeve sot e ka kërkuar edhe deputeti i zgjedhur, Haxhi Avdyli.
Zyrtarët e Lidhjes Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje ende nuk kanë arritur që ta gjejnë kompromisin e duhur.
Nesër është caktuar seanca konstituive, e cila do të fillojë në ora 15:00 dhe deri në këtë kohë pritet të shihet se a do të ketë koalicion mes LVV-së dhe LDK-së.