Kuvendi ka mbajtur mbajtur seancë të veçantë me rastin e Ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka kërkuar nga deputetët që përmes një minutë heshtje të ngritet zëri për gjenocidin serb.
“Ju ftoj për një minutë heshtje, e nëpërmjet heshtjes sot ta ngrisim zërin për gjenocidin serb”.
Sipas saj, Serbia po vazhdon të bëjë krime kur po tenton që të i fsheh informacionet për të pagjeturit.
“Jemi mbledhur për të folur e për të ngritur zërin lart për të pagjeturit, ata janë të pagjetur të fshehur nga pushteti pasardhës i regjimit. Këta persona nuk janë të pagjetur, por të zhdukur me dhunë”.
“Duam kthimin e tyre pranë familjes së tyre, dhuna është sistematike, nga vrasja e viktimave deri në fshehjen e tyre e deri në thirrjen e sotme për mos dhënie të informacioneve për ta”.
Fjalimi i kryetares së Kuvendit të Kosovës:
Të nderuar anëtarë të familjeve të personave të pagjetur!
Kabinetit qeveritar, deputetë të këtij kuvendi;
Fort të nderuar qytetarë të Republikës!
Sot, në Ditën ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit, si dhe parandalimit të këtij krimi, jemi këtu për ta ngritur zërin edhe një herë për krimin gjenocidal të kryer nga regjimi serb i Millosheviqit, i verbuar nga ideologjia nacionaliste dhe i shtyrë nga hegjemonia për të shfarosur popuj, zaptuar territore e deportuar banorët e tyre.
Jemi mbledhur, pra, për ta ridëshmuar plagën tonë të pambyllur, për vrasjen e mbi 13.000 njerëzve tanë, shumica prej të cilëve civilë, gra, pleq e fëmijë, mbi 1.600 nga të cilët ende mbajnë statusin e “personave të pagjetur”. Por, ata nuk janë thjesht të pagjetur. Ata janë “të pagjetur të fshehur” nga pushteti pasardhës i regjimit që kreu gjenocid mbi ta. Bazuar edhe në Konventën mbi gjenocidin, por edhe në vendimet e gjykatave ndërkombëtare kundër krimeve, këta persona nuk janë thjesht |të pagjetur”, ata janë “të zhdukur me dhunë”, të cilët po mbahen edhe sot të zhdukur me dhunë, madje duke bërë thirrje që të mos zbulohen kurrë. Ky është krimi i vazhdueshëm serb mbi viktimat, mbi të zhdukurit me dhunë, për të cilët ne kërkojmë drejtësi. Sepse, dhuna mbi viktimat e gjenocidit serb është sistematike, nga vrasja e tyre në fshehjen e tyre e në thirrjen e regjimit të sotëm serb për mosdhënie të informative për ta. E, “praktika sistematike e zhdukjes me dhunë” është krim kundër njerëzimit”. Serbia duhet ta pranojë peshën historike të gjenocidit ndaj shqiptarëve. Ajo duhet të detyrohet që të japë informata për dhunën sistematike ndaj viktimave. Ajo duhet t’u përgjigjet thirrjeve për ofrim të informatave mbi krimet e kryera mbi viktimat dje dhe mbi ta e mbi familjet sot. Familjet tona nuk duhet të jetojnë në pasiguri, ata kanë të drejtë të garantuar ndërkombëtarisht që të dinë të vërtetën për viktimat e gjenocidit serb, bota mbarë ka të drejtë dhe detyrim të dijë për dhunën sistematike, të djeshme dhe të sotme, të kryer nga një mendësi e pandryshuar regjimi në Serbi. Fshehja e mëtejme e informatave për ta është vazhdim i krimit sistematik shtetëror, të cilin Serbia vazhdon ta kryejë mbi viktimat e gjenocidit për të cilin unë nuk mund të hesht, loti i këtyre nënave nuk mund të heshtë, historia jonë e së djeshmes nuk mund të heshtë. Zëri i vrarë i viktimave të këtij gjenocidi nuk mund të heshtë. Të gjithë këta zëra kërkojnë zërin tonë! Prandaj, asnjëri nga ne nuk mund të heshtë. Të heshtim mundemi vetëm kur përkulemi për të nderuar secilën nga këto viktima me ndjenjën më të thellë të dhembshurisë dhe ia kujtojmë vetes tmerrin e përjetuar. Atëherë heshtja kumbon. Ju ftoj për një minutë heshtje e nëpërmjet heshtjes të ngremë zërin e tyre.
Të dashura familje!
Të dashur qytetarë!
Ne jemi këtu sot për të dëshmuar për zërin e pamundur të viktimave të gjenocidit serb, të kryer më 1999, i cili po mbytet secilën ditë, sado që në trajtë tjetër, me sjelljen e drejtuesve të shtetit serb; ne jemi këtu për të dëshmuar se plaga e trishtë e familjeve të të vrarëve nga krimi gjenocidal, plaga e pambyllur e këtyre familjeve të nderuara që kanë ardhë sot në log të kuvendit për ta dëshmuar dhimbjen tonë të përbashkët, por edhe e shumë familjeve të tjera, vazhdon të peshojë në ndërgjegjen tonë përderisa nuk do të ketë njohje ndërkombëtare të këtij gjenocidi.
Jemi këtu për të dëshmuar se krimi i kryer nuk mund të fshehët dhe se fshehja e krimit është krim i ri, po aq i tmerrshëm sa ai i pari; për t’i dëshmuar vetes e botës se rrëfimi mbi gjenocidin është i domosdoshëm, sepse ai dëshmon të kaluarën tonë. Ikja nga të rrëfyerit për përjetimin është mohim i ekzistimit të tij.
E, ne duam të dëshmojmë sepse nuk duam të harrojmë. Ne duam të dëshmojmë sepse i duam 1.600 të pagjeturit tanë, të cilët regjimi i sotëm në Beograd i fsheh ende, janë historia e trishtë e këtij vendi, të cilën ne do ta themi pa frikë çdo ditë, derisa dhembja e këtyre nënave, baballarëve, motrave e vëllezërve, bijave e bijve jetimë të mos njihet dhe drejtësia për ta të mos vijë.
Historia nuk do të na falë nëse ne provojmë të hapim një kapitull të ri libri, pa e lexuar e rilexuar me kujdes kapitullin e së djeshmes dhe të së sotmes. Ajo nuk do të na falë nëse nuk do të njihet tragjedia e vendit tonë, nëse gjenocidi i kryer nga shteti serb nuk do të emërtohet me emrin e vërtetë, me përmasën e vërtetë, dhe nëse nuk do të ketë drejtësi vendore e ndërkombëtare për viktimat. Historia nuk do të na falë nëse ne nuk do t’u japim zë mbi një mijë zërave të vrarë të fëmijëve tanë, shumë prej të cilëve vetëm foshnje disajavëshe ose disamuajshe. Emrat e tyre qëndrojnë në themelet e pavarësisë sonë, por dhembja për ta do të shtohet për aq kohë sa Serbia nuk do ta pranojë fajin historik për gjenocidin e kryer. E dhimbja është në veçanti shumëfish më e madhe për fëmijët e pagjetur, që janë në mesin e mbi 1600 bashkëqytetarëve tanë që akoma janë të zhdukur me dhunë e të fshehur nga Serbia.
Të dashur qytetarë!
Këtë vit ne e festuam ditëlindjen e 12-të të Republikës. Por, ndërsa po e kujtonim përvjetorin e lindjes dhe po krenoheshim me rritën e saj, ora e këtyre mbi 1.100 fëmijëve të vrarë trokiste në ndërgjegjen tonë. Ajo troket çdo çast me peshën e rëndë të saj. Distanca mes moshës së tyre kur u vranë e moshës së republikës po rritet, siç po rritet edhe zbrazëtia që kanë lënë ata në familjet e tyre dhe në gjithë vendin. Fytyrat e tyre janë thirrje e përhershme për ne. Fytyrat e tyre janë thirrje e përhershme për drejtësi. Ata do të na rrinë përballë e do të na flasin çdo ditë. Së bashku me plagën e mbetur hapur. Ndonjëri prej tyre sot do të mund të ishte deputet, do të mund të ishte përfaqësues i popullit në Kuvend, ta kishte zërin e vet.
Të nderuar deputetë!
Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin dhe lirinë e popujve në Ballkan. Ajo na ka çliruar ne nga një regjim gjenocidal, por ka gjasë t’i shpëtojë edhe serbët, nëse e kuptojnë peshën historike të hegjemonisë së tyre.
Prandaj, sot e këtu, sikur kurdoherë, do të flas me zërin që ma jep fati i trishtë yni dhe do të kërkoj fort që historia e dhimbshme e Kosovës, si e gjithë historia jonë kombëtare, të mbahet në mend e të rikujtohet. Sepse, duke e rikujtuar atë, ne bëhemi më të urtë e më të drejtë në vendimet tona.
Ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, vetëm duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Mbi të gjitha, duke kërkuar me ngulm që Serbia ta pranojë peshën e fajit historik. A është Serbia e gatshme? Jo. Asnjë nga liderët serb nuk ishte I gatshëm të bëjë atë që bëri ish kancelari gjerman Ëilly Brandt para 50 vitesh, të kërkojë falje e të përkulet pra para viktimave që i shkaktoi ai regjim, të bëjë atë që bënë një qenie njerëzore, kur dhimbja nuk mund të përshkruhet me fjalë. Por jo, sot Presidenti serb vazhdon të glorifikojë Millosheviqin përderisa nuk ka vendosur as një lule, e lëre më një pllake përkujtimore tek varrezat masive në Batajnicë e gjetiu në Serbi; sot kryetari I kuvendit serb kërkon nga serbët mos të tregojnë vendndodhjen e varrezave masive me shqiptarë dhe i kërcënon ata; sot kryeministrja serbe, i quan njerëz të zbritur nga mali ndërkaq Kosovën e krahason me Nagorno Karabakh. Kosova vazhdon të qëndrojë në preambulën e kushtetutës së Serbisë, duke e provuar sot gjenocidin e hartave, siç e bënin gjenocidin e armëve dje, duke promovuar gjuhën e urrejtjes, si paraprijëse të të gjitha gjenocideve, siç bënin në fillim të shekullit XX e sidomos në fund të tij. Ky është pengu i cili e mban të varur dialogun. Pra, mospranimi i fajit nga Serbia, mbajtja peng e mbi 1600 qytetarëve tanë si të zhdukur me dhunë e mbi të gjitha mungesa e drejtësisë për të gjitha viktimat e gjenocidit serb. Por, ne nuk do të reshtim së punuari që paqja të mbretërojë në hapësirat në të cilat jetojmë, sepse ky është interesi ynë strategjik. E paqja, është e mundur vetëm atëherë kur thuhet dhe pranohet e vërteta. E vërteta e vetme, e cila nuk mund të ndryshojë e as të përmbyset, sepse ka ndodhur para syve të të gjithë botës, është se Serbia kreu gjenocid, kurse ne ishim viktima të këtij gjenocidi.
Ju falënderoj!
P.S. Disa ndryshime i ka bërë Kryetarja Osmani gjatë fjalimit në Kuvend. Versioni i fundit është në video-fjalimin, i cili do të postohet më vonë në profilin e Kryetares në rrjetin social Facebook