Osmani në Berlin: Kosova, sinonim i demokracisë dhe lirisë

Prishtinë | 18 Mar 2025 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në “The World Forum” në Berlin, ku ka folur për Kosovën si një shembull i një shteti dhe populli që ka luftuar e sakrifikuar për liri, pavarësi dhe demokraci.

Në fjalën e saj, Osmani theksoi rëndësinë e demokracisë për Kosovën, duke e cilësuar atë jo vetëm si sistemin më të mirë të vlerave njerëzore, por edhe si sinonim të lirisë, paqes dhe sigurisë.

“Sot në Berlin, në ‘The World Forum’, fola për Kosovën si shembull i një shteti dhe një populli që ka luftuar e sakrifikuar për shekuj me radhë, për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë që e gëzojmë sot. Për Kosovën, demokracia nuk është vetëm sistemi më i mirë i vlerave që njeh njerëzimi, por është edhe vetë sinonimi i lirisë, paqes dhe sigurisë,” tha Osmani.

Ajo shtoi se Kosova vazhdon të avancojë në rrugën e saj demokratike, duke u bazuar në vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti.

“Kosova sot është sinonim i demokracisë që po avancon vazhdimisht, sepse besimi në vlerat demokratike është themeli mbi të cilin është ndërtuar shteti ynë,” theksoi ajo.

Forumet ndërkombëtare si “The World Forum” janë një mundësi e rëndësishme për Kosovën që të prezantojë progresin e saj demokratik dhe të forcojë pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare.

Të ngjashme