Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me kryeparlamentarin Dimal Basha dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dje qëndruan në familjen Kamberi dhe Ismajli në Reçak, ku tha se Kosova qëndron mbi këtë sakrificë.
“Dje në Reçak, vizituam dy familje, te të cilat historia është plagë e hapur. Familja Kamberi dhe ajo Ismajli, janë të goditura rëndë nga humbja e familjarëve në Masakrën e Reçakut. Në këto vatra, dhimbja nuk është shuar, por është shndërruar në qëndresë. Hazbi Kamberi, i plagosur 15-vjeçar, dhe babai i tij, i masakruar mizorisht sepse nuk e braktisi shtëpinë, shpërfaqin të vërtetën që nuk mund të fshihet asnjëherë. Ndërkaq Muhamet Ismajli, pësoi me 6 kushërinjtë e tij në Masakër, teksa fati i Sahides nga kjo familje ende mbetet i pazbardhur, ndonëse varri i saj është i hapur. Reçaku jeton në secilën nga këto familje, në secilën derë që krimi nuk arriti ta mbyllë, në secilën zemër që refuzon harresën, në fëmijët e të rinjët që tregimin për Reçakun do ta përcjellin brez pas brezi. Kosova qëndron mbi këtë sakrificë. E vërteta e pamohueshme dhe e përhershme është themeli ynë”, ka shkruar Osmani.