Kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës, Vjosa osmani, tha se që nga nesër, kjo parti do të fillojë përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit, raporton Ekonomia Online.
Osmani ka thënë se të gjithë emrat do të filtrohen në mënyrë që në listën e LDK-së për deputetë të mos ketë persona me aktakuza.
“Ne ende nuk e kemi filluar përpilimin e listës, do të fillojë nga nesër. I kemi marrë propozimet nga degët, sepse si kryesi nuk jemi përzier në propozimet që kanë ardhur nga degët. Mirëpo pastaj të gjitha ato propozime do të filtrohen, duke marrë për bazë parimet themelore, mbi të gjithat ne po e ndërtojmë programin tonë. Qeveria Mustafa ka qenë e para që ka vendosur si parim që të mos ketë asnjë njeri me aktakuzë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, atë parim e ka ndërtu LDK-ja dhe atë parim do ta mbajmë edhe tash e tutje”, ka thënë Osmani.
Osmani tha se LDK i qëndron asaj që, sipas saj, është krijuar si standard që nga koha kur qeverinë e drejtonte Isa Mustafa.