Osmani në promovimin e librit “Kur heshtja flet”: Në Hagë po gjykohen padrejtësisht proceset tona jetike

Prishtinë | 16 Shk 2026 | 13:39 | Nga Ekonomia Online

Në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të prof.dr Ahmet Shalës, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se gjykimi në Hagë është i padrejtë duke theksuar rëndësinë historike të lirisë së Kosovës dhe sakrificën e brezave që udhëhoqën luftën çlirimtare, raporton Ekonomia Online.

“Sot në botë ka ende dhjetëra kombe që nuk e kanë arritur shtetin e tyre, madje për nga numri janë më të mëdhenj se populli i Kosovës, por janë të okupuar, të shtypur dhe në kërkim të lirisë dhe shtetit. Titani i letërsisë sonë, Ismail Kadare, jo rastësisht shtetin e Kosovës e quajti triumf të lirisë dhe të gjithë kombit shqiptar. Ky triumf u bë i mundur sepse në kohët më të errëta, Kosova pati bij e bija që udhëhoqën luftën tonë çlirimtare dhe i dolën zot atdheut, duke dëshmuar se liria ishte më e shtrenjtë se vet jeta. Këtë histori, këtë të vërtetë dhe këtë triumf ne duhet ta mbrojmë me krenari në çdo vend të botës, sepse UÇK-ja është ideali më i fuqishëm i ndërtuar nga shqiptarët ndër shekuj. Por për ta mbrojtur të vërtetën, duhet edhe ta shkruajmë atë. Ky libër i autorit Ahmet Shala, ‘Kur heshtja flet’, flet jo vetëm për luftën tonë, por edhe për gjykimin e padrejtë që po bëhet ndaj proceseve tona jetike, ndaj lirisë dhe pavarësisë sonë dhe përpjekjeve për çlirim që u ndërmorën në shërbim të lirisë dhe mbijetesës së popullit tonë”, tha Osmani.

Të ngjashme